Lajme

Kolegjet private të përfshira në krim akademik

By FIRST CHANNEL

July 22, 2016

“Unë mendoj se këtu bëhet fjalë për interesat e elitës politike, që sa më shumë njerëz të mbarojnë studimet e larta, pasi kështu shtyhet për një kohë problemi i punësimit të të rinjve, por edhe shtohen gjasat e tyre për punësim. Pastaj, janë në pyetje interesat personale të njerëzve që, në këtë formë, sigurojnë të ardhura jo të vogla. Se për çfarë interesash bëhet fjalë u pa nga ashpërsia e reagimit ndaj vendimit të ish-rektorit Ramadan Zejnullahu për ndalim -së”, është shprehur, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci

Gjendja e institucioneve të arsimit të lartë, privat në Kosovë, është e degraduar. Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit, sipas të cilëve nëpër kolegjet private në Kosovë në vend të shkencës po bëhet biznes. Me ligjin për Profesione të Rregulluara parashikohet që studentët që diplomojnë t’iu nënshtrohen 7-8 mijë pyetjeve profesionale dhe të tjera. Në këtë mënyrë, ky ligj mund të nxjerrë mos punën e këtyre kolegjeve që funksionojnë vetëm për të marrë para e jo cilësi. Teuta Haxhiu, anëtare e Komisionit për Arsim Shkencë dhe Komedi në Kuvendin e Kosovës, vlerëson se situata në arsim, ka ardhur për shkak të interesave të ngushta të njerëzve të politikës. Andaj, sipas saj, duhet të bëhet filtrimi i universiteteve private. “Situata në arsim ka ardhur pikërisht, për shkak të interesave të ngushta të njerëzve të politikës, që më së paku i bëjnë nder arsimit dhe ngritjes së cilësisë në arsim. Unë kam besuar që pas kaq vitesh, edhe pas pavarësisë dhe pas luftës arsimi do ta ketë një kahje krejt tjetër, por përkundrazi çdo vit po shkojmë në regres. Gjithëherë e kam thënë, që duhet të bëhet një filtrim i këtyre institucioneve dhe të mos lejohen, një numër kaq i madh që të merret me “shitblerjen”, e diplomave, sepse ky është degradimi më i madh që i bëhet arsimit në Kosovë”, shprehet Haxhiu. Sipas saj, një gjë të tillë është duke e bërë Qeveria, e cila arsimin e ka shndërruar në biznes. “Nuk ka vullnet politik dhe nuk iu lihet në dorë profesionistëve, njerëzve që kanë tituj shkencor të merituar, ngase fatkeqësisht edhe titujt janë dhënë “sikur të blihen në market diploma”. Po e them, më vjen keq për njerëzit e caktuar, për individë të cilët me meritë e kanë titullin ngase sot gjithkush po merr diplomë”, ka thënë Haxhiu, ndërsa ka sjellë në vëmendje, faktin se ish drejtoresha e Agjencionit të Akreditmit është në një proces gjyqësor pikërisht për keqpërdorime në këtë agjenci.

“Megjithatë, ka institucione që meritojnë status edhe më të lartë, por pas një filtrimi dhe pas një ekspertize nga profesionistë, të cilët absolut nuk kanë qasje në politike. Ne kemi kërkuar llogari çdoherë, edhe mandatin e kaluar edhe këtë mandat ndonëse ka gati një vit që jemi jashtë Kuvendit për një cështje që tashmë dihet. Edhe në Komisionin për Arsim është ngritur kjo çështje dhe mbi të gjitha është dhimbje kur në krye të Agjencisë për Akreditim ka qenë një zonjë e cila po hetohet megjithëse nuk mund ta paragjykojë, se a do të dal fajtore apo jo”, ka nënvizuar deputetja e AAK –së, Teuta Haxhiu.