Për herë të parë ish-administratori i DIA-s, kompanisë së mbledhjes së borxheve të CEZ-it, është shfaqur para kamerave në statusin e të pandehurit në Gjykatën e Tiranës. Ai akuzohet për përvetësim të 5 milionë eurove përmes mashtrimit.
Fakti që është filmuar nga kameramanët e mediave në Shqipëri, nuk ka qenë i pëlqyeshëm për Ismailajn, i cili ishte “kujdesur” mos të shfaqej në seancat që janë zhvilluar ndaj tij. Prej një viti e gjysëm i arrestuar, kjo është hera e parë që Ismalaj del në gjyq me prani të medias.
Kastriot Ismailaj: Mundet ai kameramani të marrë leje te ju përpara dhe pastaj të kërkohet edhe mendimi im për praninë e tij.
Gjyqtarja: Kamerat fillimisht para se të hyjnë në sallë gjyqësore i pandehur, marrin leje nga gjyqtari i çështjes sepse tregojnë interesin dhe çështja juaj është ndjekur nga gazetarët. Kanë një afat të caktuar që do të rrinë këtu deri në momentin që gjykata do ta vlerësojë të jetë e nevojshme.
Kastriot Ismailaj: Atëherë zonja kryetare, unë largohem.
Kjo seancë nuk mundi të zhvillohej dhe u shty për një ditë tjetër nga trupa gjykuese, pasi munguan tre dëshmitarët që ishte parashikuar të pyeteshin në këtë seancë. Kastriot Ismailaj kishte marrë masa për mbrojtjen e tij. Ai u paraqit në sallën e gjyqit me disa dokumente, sipas të cilit e nxjerrin të pafajshëm.