Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka treguar se tashmë ka përfunduar faza e parë e renovimit të ambulantave nëpër fshatra të Prishtinës.
“Pas konstatimit të gjendjes jo të mirë të ambulantave në fshatrat e Prishtinës nga komisionet përkatëse me ndihmën edhe të Komitetit për Shëndetësi, vitin e kaluar, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, hartoi një plan për renovimin e tyre, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës, pa përjashtim vendit ku banojnë, të marrin shërbime shëndetësore sa më cilësore dhe komode”, shkruan Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook, transmeton lajmi.net.
Ai thotë se renovimi i ambulantave do të ofrojë kushte sa më të mira për personelin shendetësor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët në këto fshatra.
“Në javën e kaluar u përmbyll faza e parë e këtyre punimeve me renovimin e plotë të ambulantave në Mramor, në Slivovë, në Shkabaj, në Rimanishtë, në Viti dhe në Bullaj. Përveç renovimeve në këto ambulanta u vendos edhe Inventar dhe mjete të reja të punës në drejtim të ofrimit sa më të mirë të kushteve për personelin shëndetësor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët në këto fshatra”, shkruan ai.