Terroristët kërcënojnë Olimpiadën ‘Rio 2016’

Terroristët kanë kërcënuar me sulme Lojërat Olimpike. Në ‘Rio 2016’ Kosovën do ta përfaqësojnë tetë garues.

Agjencia e inteligjencës e Brazilit ka zbuluar se po analizon të gjitha kërcënimet kundër Lojërave Olimpike, të cilat do të mbahen në muajin gusht në Rio de Janeiro, pasi një kanal xhihadist ka bërë thirrje për sulme kundër tyre.

“Shumë kërcënime janë hedhur poshtë dhe ato që meritojnë vëmendje po hetohen plotësisht”, tha agjencia e zbulimit.

Këtë javë, një kanal xhihadist, përmes aplikacionit të mesazheve ka bërë thirrje për sulme kundër Olimpiadës dhe ka dhënë detaje për objektivat dhe metodat, raporton REL.

Thuhet se përmes mesazheve është bërë thirrje të sulmohen edhe atletët perëndimorë. Ekspertët e sigurisë thonë se Brazili nuk ka histori të aktivitetit xhihadist dhe as rrjete të vendosura terroriste, çfarë i bën të vështira sulmet komplekse në Olimpiadë.

Kujtojmë se Kosovën në Rio 2016 do ta përfaqësojnë tetë garues: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Vijona Kryeziu, Rita Zeqiri, Urata Rama, Qendrim Guri, Musa Hajdari dhe Lum Zhavelli.

Temat
Sport

Të afërta