Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi i frikësohen ballafaqimit me ekspertë

Përndryshe, që nga e hëna, RTK dhe Klan Kosova kanë tentuar që të organizojnë debate televizive ku do të ballafaqoheshin ekspertët, mirëpo, Bulliqi dhe Isufi nuk kanë pranuar të jenë aty, transmeton lajmi.net.

Gjeografi dhe deputeti Shpejtim Bulliqi dhe kolegu i tij gjeograf, Florim Isufi tash e një javë nuk po pranojnë të ballafaqohen publikisht me një grup ekspertësh vendorë, lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Lajmi.net merr vesh se Bulliqi dhe Isufi, nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në disa debate të organizuara në RTK dhe në Klan Kosova, lidhur me këtë çështje vetëm pasi kanë marrë vesh se aty do të jenë të pranishëm gjeografi Tomorr Çelaj, juristi Xhevdet Shala, si dhe disa ekspertë të tjerë të fushës.

Bulliqi dhe Isufi, pranojnë të shkojnë në çdo debat ku nuk ka ekspertë të kësaj çështje, por ku ka përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile, në mënyrë që të mbrojnë teoritë e tyre se me këtë proces demarkacioni, Kosova humb dhjetëra hektarë tokë.

Përndryshe, që nga e hëna, RTK dhe Klan Kosova kanë tentuar që të organizojnë debate televizive ku do të ballafaqoheshin ekspertët, mirëpo, Bulliqi dhe Isufi nuk kanë pranuar të jenë aty, transmeton lajmi.net.

Edhe në tryezën e sotme në Prishtinë, Bulliqi dhe Isufi kanë pranuar të shkojnë vetëm pasi janë siguruar që në të nuk do të jenë gjeografët kosovarë që kanë qëndrim tjetër për demarkacionin e kufirit.

Eksperti Tomorr Çelaj, juristi Xhevdet Shala si dhe disa gjeografë kosovarë, kanë përgatitur edhe një punim voluminoz shkencor që vërteton atë që është thënë nga komisioni shtetëror, nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, nga komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë, nga hartat e NATO-së, se procesi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi është në përputhje të plotë me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, me Pakon Ahtisaari rrjedhimisht me Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha dokumentet tjera relevante mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës dhe janë siguruar 111 njohje ndërkombëtare.

Dështimi i këtyre debateve është konfirmuar nga gazetarë pranë këtyre dy televizione si dhe ekspertët e ftuar në to.

Lajmi.net ka tentuar gjatë tërë ditës të flas me deputetin Shpejtim Bulliqi, por ai në dy raste është arsyetuar që është në mbledhje, kurse së fundmi nuk është përgjigjur fare në telefon.

Përndryshe gjeografi Tomorr Çelaj, eksperti juridik Xhevdet Shala si dhe një grup i ekspertëve të tjerë gjeografë dhe të fushave të tjera relevante me këtë proces janë në vazhdimësi të gatshëm për ballafaqim me publik shterues me Bulliqin, Isufin dhe këdo tjetër që pretendon se me këtë proces Kosova po humb territor.

Temat
LajmeVend

Të afërta