Selimi: Thaçi legjitimoi cilësimin e shqiptarëve si terroristë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka komentuar vendosjen e luleve nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në një përmendore ku shqiptarët janë cilësuar si terroristë.

Selimi ka thënë se cilësimi i shqiptarëve si terrorist dhe si fajtorë pa i ditur dorasët, është cilësim i poshtër si nga ata që i paragjykojnë shqiptarët si terroristë, po ashtu, edhe nga ata që hedhin lule pranë atij mbishkrimi.

Ja postimi i plotë i deputetit Selimi në facebook:

Mua nuk do të më bënin përshtypje ndjenjat personale të cilitdo individ, por të pranosh të hedhesh lule aty ku shqiptarët përshkruhen si terroristë është e pafalshme për një njëri që pretendon së është president i Kosovës.

Akti i vrasjes së civilëve serbë në Gackë të Lipjanit është krim që duhet gjykuar dhe ndëshkuar por jo me të cilin mund të paragjykohet një komb i tërë. Aty duhet të flasë drejtësia para se të flasë urrejtja për shqiptarët.

Përderisa nuk janë gjetur dhe gjykuar vrasësit e 14 serbëve lokalë në Gackë, cilësimi i shqiptarëve si terrorist dhe si fajtorë pa i ditur dorasët është cilësim i poshtër si nga ata që i paragjykojnë shqiptarët si terroristë në pllakatë dhe po ashtu edhe nga ata që hedhin lule pranë atij mbishkrimi duke e legjitimuar cilësimin e shqiptarëve si fajtorë e terroristë.

Temat
LajmeVend

Të afërta