Debati për demarkacionin, rasti duhet të dërgohet në Arbitrazh

Demarkacioni me Malin e Zi është bërë temë e shumë debateve si në Kuvend por edhe jashtë tij. Një debat me ekspertë rreth kësaj çështje është caktuar më 3 gusht në Kuvendin e Kosovës.

Por sot në Prishtinë Shoqata e Malazezëve të Kosovës, ka mbledhur përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Kryetari i Shoqatës Sllobodan Vujiciq, tha se demarkacioni duhet të ratifikohet në Kuvend të Kosovës e pastaj ai të rishqyrtohet nga një komision i formuar nga Qeveria e Kosovës dhe e Malit të Zi.

“Ne mendojmë që fillimisht është e nevojshme që të ratifikohet marrëveshja në Kuvendin e Kosovës sepse Mali i Zi këtë e ka bërë para ratifikimit të marrëveshjes. Është e nevojshme që përmes amendamentit që të obligohet qeveria e Kosovës së bashku me Malin e Zi të themelojë një komision për matjen e serishme të kufirit, nëse konstatohet se ka gabime nga njëra apo të dy anët duhet të bëhet korrigjimi i kufjeve dhe kësisoj evitohen lëshimet. Sipas neve është kjo rruga e vetme dhe rrugë q do të konfirmonte që deputetët me të vërtetë ia duan të mirën popullit të vet”, tha Vujiçiq.

Në lidhje me propozimin e kryetarit të Shoqatës së Malazezëve të Kosovës nuk është pajtuar Jahja Lluka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Vujiqiq e dha një propozim por është gabim, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me malazezët në Kosovë, janë qytetarë të Kosovës dhe si opozitë jemi shumë të interesuar që komuniteti malazez ti ketë të gjitha të drejtat sikur çdo qytetar i Kosovës por jo asgjë më tepër se që i kemi sot. Mos të harrojmë që kufijtë e Kosovës dhe të shqiptarëve nga kongresi i Berlinit e këndej janë prerë me gërshërë sikur që iu ka deshtë dikujt. Unë jam nga Peja dhe muj me thënë që kam qenë dikur i varfër dhe zbathur i kam ecë ato, as Bjelluga as Qakorri nuk kanë qenë kurrë me Malin e ZI as Mali i Zi nuk ka pretendime, ne po dojmë me ja dhënë”, deklaroi ai.

Në këtë debat mendimet e tyre dhanë përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile.

Profesori Vigan Qorrolli tha se gjatë përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi është bërë një gabim në metodologjinë e përcaktimit të kufijve.

Ai tha se pasi që ka ndodhur kjo atëherë ky rast duhet të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Dy qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi duhet me mirëbesim ti drejtohen gjykatës permanente të arbitrazhit me seli në Hagë dhe ën këtë rast dua që të mos ngatërrohet gjykata e arbitrazhit me gjykatën e drejtësisë sepse ky mund të jetë opsioni i fundit në aspektin juridik”, tha Qorrolli.

Shpejtim Bulliqi deputet i partisë në pushtet( LDK), por që kundërshton vazhdimisht raportin e komisionit për Demarkacion me Malin e Zi tha se në këtë rast janë bërë lëshime esenciale.

“Këto lëshime unë do i ngërthej anë disa aspekte, e para në aspektin e të drejtës ndërkombëtare si metodologji që është përdorë e cila është tërësisht e gabuar, aspekti faktografik dhe hartografik po ashtu me gabime të jashtëzakonshme po pse jo edhe kriteri mbi të cilin realisht është mbështet puna e këtij komisioni, ai kadastral i cili na tregon prapë që ka gabime esenciale në punën e komisionit shtetëror për demarkacion”, tha Bulliqi.

Për dallim nga kolegu i tij nga LDK, Shaip Muja i cili në këtë debat nuk foli në emër të PDK-së ka akuzuar opozitën se ka stigmatizuar shumë problemin.

“Mendoj që opozita e ka bërë gabimin duke e stigmatizuar shumë problemin dhe duke e nxitë në problem juridik. Problem juridik ky ratifikim nuk prodhon ende, kurrkush nuk mundet me u përgjegjës, për gabimet profesionale kurrkush nuk mundet me u dënua, mundet me u vlerësua por jo mu dënua, ratifikim juridik do të jetë nëse miratohet në Kuvendin e Kosovës, ne deputetët do ta marrim edhe faturën politike do ta marrim edhe faturën juridike”, tha Muja.

Por deputeti Ismail Kurteshi tha se Vetëvendosje nuk është kundër demarkacionit por është kundër pazareve të tokës së Kosovës.

“Sepse jemi të pakënaqur dhe po e them edhe këtë që e thatë ju ne jemi të interesuar që zgjidhjet ti gjejmë në kuvend por në pamundësi që të bisedojmë me një qeveria arrogante e cila e konsideron Kosovën livadh të vetin deh bënë marrëveshje sipas tekeve të saj na ka detyruar që të përdorim metoda që edhe për ne nuk kanë qenë të pëlqyeshme por metoda të vetme me të cilat ne e kemi penguar një gabim tepër të madh të qeverisë së Kosovës dhe një dëm që ka mundur ti sillet Kosovës”, tha Kurteshi.

Debati i ardhëm për demarkacionin me Malin e Zi e që organizohet nga Kuvendi i Kosovës pritet të mbahet më 3 gusht.

Temat
LajmeVend

Të afërta