Thaçi: Mos ratifikimi i demarkacionit do t’i sjellë pasoja të rënda Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi dhe spektri politik që të përmbyllin sa më shpejt çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që Komisioni Evropian të mos e rishikojë rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë, Thaçi ka thënë se Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nënkupton konsolidim dhe forcim të mëtutjeshëm të shtetit tonë, por edhe perspektivë të sigurt euro-atlantike

“Çdo vonesë, apo dështim, larg qoftë i ratifikimit, do të nënkuptonte pasoja të rënda për të ardhmen evropiane dhe euro-atlantike për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për tryezën e rrumbullakët që është caktuar të mbahet me 3 gusht lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, presidenti Thaçi ka theksuar se për shkak të dhunës politike në kuvend dhe jashtë tij, nuk është lejuar që të ketë debat, edhe pse kemi qenë të gjithë të etur që t’i informojmë qytetarët e vendit për Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Ajo është një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, profesionale dhe në interes të dy vendeve dhe të paqes e stabilitetit në gjithë rajonin. Debati që do të zhvillohet është i mirëseardhur, por duhet kuptuar se debati është edhe çështje e diskutimeve interpretuese, në kuptimin edhe politik, por nganjëherë edhe të kauzave të adresave të caktuara politike. Por, unë dua të besoj që ku debat do të ndihmoj që të kemi një vetëdijesim edhe më të lartë që çështjet të adresohen në interes të shtetit dhe jo të kauzave të paqëndrueshme politike”, u shpreh Thaçi.

Ai më tej gjatë intervistës ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë.

Thaçi i ftoj të gjithë që t’i lënë interesat e politikës ditore apo partiake dhe të vihen në shërbim të agjendës dhe interesave shtetërore dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta