Më shumë Evropë, më pak Bruksel

Evropa duhet të ndryshojë. Ajo duhet të zhvendoset nga flluska e saj në Bruksel dhe të jetë më afër vendeve anëtare.

Kjo pasi dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni është sinjal që BE-ja nuk duhet të jetë një bashkim vetëm i disa vendeve që e krijuan atqë, por i secilës që ka dhënë pak nga sovraniteti i vet. Ky në thelb është komenti i Carl Bildt, ish kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.

Dështimi i grusht shtetit në Turqi na rikujton-dhe një kujtim i tillë ishte i nevojshëm- të stabilitetit që ka sjellë Bashkimi Evropian, që dikur ishte i pakonceptueshëm.

Por në qoftë se pas – Brexit-it, BE-ja do që të mbijetojë, atëherë duhet ndryshuar mënyrën e të menduarit për vetveten.

Deri më tash, e dhimbshme ta thuash, por kjo nuk po ndodhë. Për shembull, menjëherë pas votës për Brexit, gjashtë shtete themeluese e asaj që dikur njihej si Komuniteti Ekonomik Evropian (EEC), Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda, u mblodhën të diskutojnë se si të veprojnë.

Për befasinë e askujt, 21 vendet e tjera anëtare të BE-së u ndjenë të ofenduara, pasi u lanë anash.

Ky incident nxori në pah sfidën më të madhe që duhet të tejkalojë BE-ja për sigurimin e të ardhmes së saj pas Brexit-it.

Thënë më thjeshtë, ideja Bashkimit duhet të rezonojë me të gjithë evropianët, jo vetëm ata që ftohen ekskluzivisht në takime.

EEC-ja ishte krijuar në vitin 1957, dhe aspiratë zyrtare në atë kohë kishte, ashtu siç është edhe tash për BE-në, rikrijimi i Evropës së Charlemagne (Charlemagne-Çarli i Madh, mbret i Frankëve dhe perandor i krishterë perëndimor v.j) që ekzistonte mijëra vjet më parë.

Që nga ajo kohë, liderët evropianë janë mbledhur herë pas here dhe sërish nga froni lashtë Çarlit në Aachen, në shtetin gjerman të North Rhine-Westphalisë, për të mbajtur fjalime vizionare duke njoftuar se ka ardhur më në fund koha për të ndërtuar një Evropë të vërtetë e të integruar .

Aachen është kthyer në Mekë për besimtarët e vërtetë të mitit themelues të BE-së .

Epo unë pajtohem se Çarli i Madh është një personalitet intrigues historik, por nuk e shoh në mënyrë të veçantë frymëzues.

Ai ishte një luftëtar i vërtetë, por ndoshta edhe një analfabet, dhe perandoria që krijoi u shpërbë shpejt pas vdekjes së tij.

Rritja e Evropës dhe Perëndimit sigurisht nuk ka filluar me Çarlin.

Evropa që më frymëzon mua nuk është Evropa e luftëtarëve të vjetër; ajo është Evropa e mendimtarëve dhe tregtarëve.

Është kontributi i tyre që gjatë shekujve e kanë transformuar Evropën nga një moçalishte globale, që ishte bërë pas rënies së Romës, në një qendër të progresit intelektual dhe inovacionit që krijoi Perëndimin dhe ndryshoi rrjedhën e njerëzimit.

Kjo është Evropa e Kopernikut dhe Erasmusit, Henri Navigatorit dhe Isak Njutonit dhe e të gjithë pionierëve të tjerë të cilët e çliruan mendjen e njeriut nga besëtytni dhe paragjykime të së kaluarës, duke i lënë prapa.

Evropa e tyre ishte e gjerë dhe pa kufij, shumë më e madhe se Evropa e Çarlit.

Traktatet e Immanuel Kant -it se si republikat mund të arrijnë ” paqe të përjetshme ” janë shkruar në Königsberg, në vendin që sot është pjesë e Rusisë.

Dhe qytetet e mëdha tregtare të Gdansk , Sevilje dhe Venecia mbajtën lidhje shumë më të largëta sesa kufijtë e BE-së së sotme .

Projekti evropian mund të rinovohet vetëm nëse ata që e mbështesin, lëvizin larg nga vizioni i kufizuar Çarlit – vizion i frymëzuar për ndalimin e të shprehurit për anëtarët e ” rinj” e ” të vjetër “, dhe të demonstrojnë me fjalë si dhe me vepra që ata janë të hapur për ide nga çdo pjesë e Evropës.

BE-ja nuk do të funksionojë nëse të gjitha shtetet anëtare të saj nuk konsiderohen si të barabarta në përcaktimin e një të ardhme të përbashkët.

Në vitin 2004, kur BE-ja pranoi dhjetë anëtarë të rinj (përfshirë tetë ish vende komuniste), unë me gjysmë shaka kamë sugjeruar që Unioni duhet ta lëvizë selinë kryesore nga “BE-ja e vjetër” në Bruksel, në një qendër gjeografike të “BE-së së re” si Bratisllava, kryeqyteti i Sllovakisë.

Ideja prapa këtij mendimi të çuditshëm ishte për të simbolizuar braktisjen e një modeli konceptual që kisha parë duke e penguar Unionin, në atë më të hapur, të larmishëm dhe gjithëpërfshirës.

Ky veprim nga Brukseli natyrisht që nuk ndodhi , por as nuk ndodhi transformimi mendor nga ajo paradigma e vjetër e Aachen-it.

Për fat të keq, mund të ketë pak dyshime se konklava e mbajtur nga vëllazëria e Aachen-it brenda flluskës në Bruksel, ka dhënë shumë ushqim për të pamëshirshmit, pa mëshirë, e të pandershmëve të fushatës pro- Brexit.

Nëse nuk është kapërcyer mentaliteti Aachen-it, atëherë do të vazhdojë të shërbejë për një qëllim të ngjashëm për fushata nacionaliste në vendet e tjera anëtare.

Natyrisht që ky është një mit i rrezikshëm se Brukseli ka grabitur pushtet nga shtetet anëtare të BE .

Në të vërtetë , erozioni i ngadalshëm i kompetencave kombëtare në një botë gjithnjë e më të ndërvarur e ka bërë të nevojshme për shtetet anëtare që të krijojnë me marrëveshje, zgjidhje të përbashkëta për sfidat e përbashkëta.

Zgjidhjet e përbashkëta kërkojnë përfshirjen dhe një frymë bashkëpunimi.

Kur liderët e 27 vendeve të mbetura të BE-së mblidhen në Bratislavë në shtator, ata duhet të fillojnë t’ia kthejnë Evropën anëtarëve të saj – dhe kjo do të thotë- vërtetë të gjithë atyre.

BE-ja e pas Brexit-it duhet të jetë një Union i cili është i lidhur shumë më ngushtë me realitetet politike të shteteve anëtare të saj.

Edhe pse një ndërtesë e re për takime të tilla po ndërtohet në Bruksel, ndoshta ne duhet të kthehemi prapa për të mbajtur të paktën disa samite të BE-së në pjesë të ndryshme të Evropës.

Samiti në Bratislavë mund të jetë fillimi i një përpjekje të re për të forcuar përpjekjen Evropiane me të gjithë Evropën.

Epoka e Aachen-it është e gjatë, viti i Bratisllavës ka ardhur. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë – dhe më pak Bruksel. Nëse ne do të përqafojmë këtë model të ri – dhe i qëndrojmë prapa- BE-ja jo vetëm që do të mbijetojë, por ajo do të lulëzojë.

Temat
BotëLajme

Të afërta