Erdogani e telefonin presidentin iranian

Grushti i Shtetit në Turqi ka prodhuar pasoja reale edhe në politikën e jashtme të Ankarasë. Vetëm tri ditë pas përpjekjes për të ndryshuar pushtetin me dhunë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka ndërmarrë hapin e parë që dëshmon zhvendosjen e politikës turke në raport me një krizë serioze si ajo e Sirisë.

Agjencia ruse e lajmeve, “Sputnik” raporton se të hënën, Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin iranian, Hasan Rouhani, i cili nga ana e vet “ka vlerësuar pjekurinë e popullit turk që dëshmoi se taktikat dorës së fortë nuk kanë vend në rajonin tonë”. Po kështu presidenti iranian ka mirëpritur rivendosjen e stabilitetit në Turqi, duke bërë nënvizime që tanimë duket se shkojnë përshtat me mendimin e Ankarasë, se grushti i shtetit është organizuar nga Washingtoni.

“Superfuqitë nuk duan stabilitet në vendet myslimane”, citohet të jetë shprehur Rouhani. Erdogan ka hapur letrat kur ka deklaruar se “ne jemi më të vendosur që të punojmë dorë më dorë me Iranin dhe Rusinë që të zgjidhim problemet rajonale dhe të shtojmë përpjekjet tona për rikthimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe çlirimin e tij nga terroristët”.

Ky pohim, nëse merr udhë si politikë konkrete do të shënonte minimin e politikës amerikane në Siri, qëllimi kryesor i së cilës është largimi nga pushteti i Bashar al Assad dhe siç flitet krijimi i një shteti kurd, që do të kalonte edhe nga ndarja e Irakut.

Temat
BotëLajme

Të afërta