Lirohen dy pengje në Armeni

Personat e armatosur të ndërlidhur me një grup opozitar në Armeni, i kanë liruar dy prej shtatë personave të rrëmbyer në një stacion të policisë në kryeqytetin Erevan, derisa gjendja e tensionuar me forcat e sigurisë së Armenisë po vazhdon për të dytën ditë me radhë.

Lirimi i tyre ishte bërë në kuadër të negociatave që po vazhdojnë me personat e armatosur, ka njoftuar Shërbimi i sigurisë kombëtare i Armenisë.

Së paku një duzinë e personave të armatosur e sulmuan stacionin policor në lagjen jugore Erebuni dje në mëngjes, duke e vrarë një polic dhe plagosur 6 të tjerë.

Ky grup i armatosur po kërkon lirimin e personit, Zhirayr Sefilian, lider i lëvizjes opozitare, Themeluesi i Parlamentit, që ishte arrestuar muajin e kaluar, i dyshuar për komplot dhe revoltë ushtarake.

Ata, po ashtu, kërkojnë edhe dorëheqjen e presidentit të Armenisë, Serzh Sarkisian.

Autoritetet e Armenisë e kanë përjashtuar mundësinë e lirimit të Sefilianit dhe kanë kërkuar që personat e armatosur të dorëzohen.

Temat
BotëLajme

Të afërta