Kosova ende pa ligjin për mbrojtjen e fëmijëve

Mirëzana Jashari, 14 vjeçe, thotë se çuditërisht në Kosovë ka një ligj për mbrojtjen e kafshëve, por jo për mbrojtjen e fëmijëve.

“Eshtë koha që ne të veprojmë”, – thotë vajza nga Fushë-Kosova.

Mirëzana është një nga 35 të miturit që kërkuan 3 ditë më parë miratimin sa më të shpejtë të ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë. Ai është ende në fazën e draftligjit.

Përveç takimit me kryeministrin në dhjetor 2015, këtë kërkesë fëmijët e bënë së fundmi përmes dy dramave me titull “Mëngjes i errët” dhe ” Zëra të padëgjuar”. Ato u vunë në skenë njëra-pas tjetrës, të premten, në teatrin kombëtar “Dodona”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 11.30, me mbështetjen e World Vision.

Përmes fjalëve të pjesëve dramatike, fëmijët, një pjesë e madhe e të cilëve vjen nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, duan të ndërgjegjësojnë publikun dhe institucionet se sa e rëndësishme është që këto të fundit të zotohen zyrtarisht me ligje për mbrojtjen e tyre të plotë.

Aktiviteti është pjesë e projektit LINC (Local Initiative for National Change) i financuar nga World Vision dhe bashkëzbatuar me Health for all. Projekti është shtrirë në Plemetin, Fushë-Kosovë.

Në thelb të projektit qëndrojnë nevojat e fëmijëve nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane. Për shkak se punësimi i hershëm dhe lypja në rrugë janë problemet që i shqetësojnë më tepër, të miturit kërkuan para disa muajsh që, në draftligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, të futet ky nen : 1. Asnjë fëmijë nuk ka të drejt të shfrytëzohet për qëllime pune në rrugë dhe hapësira tjera publike, qoftë për qëllim kërkimi lëmoshe, pastrim parafingo të veturave, shitje të gjërave të imta, ushqimi, duhani, substanca narkotike etj.

2. Në gjitha rastet kur kërkohet nevoja për intervenim në mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge policia dhe punëtori social duhet të jenë së bashku, dhe nëse ka nevojë për përkrahje nga ndonjë Institucion apo organizatë tjetër mundë të ftohen për ndihmë dhe përkrahje.

3. Me qëllim që të kemi sa më shumë sukses ne mbrojtjen e fëmijëve ne situatë rruge kërkohet bashkëpunimin ndër-komunal dhe ndërshtetëror

4. Në gjitha rastet duhet të sigurohet që fëmija të vijojë mësimin e obliguar ashtu siç e parasheh edhe ligji i arsimit

5. Ndaj gjithë personave të rritur që në çfarëdo forme janë të përfshirë në këto kategori duhet të merren masa të menjëhershme sipas ligjeve në fuqi.

Ky nen dhe të gjitha pikat e tij janë pranuar nga Zyra Ligjore në Kryeministri dhe janë bërë pjesë e draftligjit. Por fëmijët kërkojnë që ai të paraqitet sa më shpejt për miratim, në parlament.

Temat
LajmeVend

Të afërta