“A je mirë? ruaj veten!”, studenti shqiptar rrëfen natën e tmerrit në Turqi (INTERVISTA)

Përplasja mes ushtrisë rebele dhe protestuesve në Turqi mori fund. Grushti i shtetit dështoi dhe presidenti i Turqisë Rexhep Tayip Erdogan rimori kontrollin por e gjitha kjo deri tani ka shkaktuar 265 viktima nga të cilët 161 janë civilë dhe 104 puçistë.

Populli doli në një manifestim pas dështimit të grushtit të shtetit dhe Erdogan bëri një deklaratë ku ndër të tjera foli edhe për mijëra të arrestuarit si përgjegjës.

Por si është përjetuar e gjithë situata nga shqiptarët atje? Si ishin momentet e para të trazirave të mbrëmshme, sa të sigurtë për jetën ishin dhe a e menduan kthimin në Shqipëri?

Sheni Hamitaj është një i ri që studion në Turqi dhe ndan me newsbomb.al të gjitha përjetimet e natës së tmerrshme ndërsa rrëfen edhe për shqetësimin e familjarëve që i telefononin nga Shqipëria.

“Në ato momente familjarët po na telefononin dhe me shumë të drejtë ishin të shqetësuar. Të tjerë po na shkruanin në rrjete sociale për të na pyetur a ishim mirë dhe se çfarë po ndodhte në të vertetë.

Ishin pothuajse të njëjtat mesazhe nga të gjithë, “A je mirë? Mos dil jashtë. Ruaj veten”, rrëfen 20 vjeçari Sheni për newsbomb.al.

INTERVISTA:

Përshëndetje Sheni! Ju jetoni në Stamboll. Jeni student aty, apo jo?

Po. Studioj inxhinjeri kompjuterike!

Na trego pak! Si e përjetuat situatën atje, ku ishit në momentin që ndodhi tentativa e grushtit të shtetit?

Ishim duke dalë shëtitje me shqiptarët e tjerë dhe në një moment një i afërm telefonon njërin prej tyre dhe në panik i tregon se lajmet në Shqipëri po tregonin ushtarë që kishin bllokuar urat e Stambollit. Këtu as nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Nuk na bëri shumë përshtypje sepse kohët e fundit ka patur shumë trazira dhe menduam se ishte ndonjë aksion kundër bombarduesve. Shkuam në shtëpi dhe filluam të shihnim lajmet. Prej deklaratës së kryeministrit kuptuam se po tentohej një grusht shteti, gjithashtu se policia po luftonte kundër ushtrisë dhe se (televizioni) TRT ishte në dorë të ushtarëve. Ishim të frikësuar dhe të shqetësuar, një prej shokëve të mi do të shkonte në Shqipëri të nesërmen. Agjensitë e huaja të lajmeve kishin shkruajtur se ushtria kishte përmbysur shtetin. Nuk e dinim se kë të besonim.

Më vonë doli presidenti në CNN Turk ( nuk jam shumë i sigurt për kanalin) dhe njoftoi të gjithë popullin se duhet të dilnin në rrugë dhe të shkonin afër institucioneve e t’i mbronin nga ushtria. Menjëherë 5-10 minuta pas kësaj deklarate ishte e pabesueshme se si njerëzit u derdhën në rrugë , secili me flamur në dorë filloi të brohoriste shprehje si “Ya Allah, Bismillah, Allahu ekber” ose “Dik dur, egilme umet seninle” (Në mbështetje të presidentit) , makinat veç i binin borieve.

Çuditërisht u ndjeva menjëherë më i sigurt. Gjithashtu nga shokët e tjerë mora lajmërime se në qytet kishin filluar të dilnin tanqe por njerëzit menjëherë i kishin bllokuar. Në ato momente të gjithë po mendonin se një luftë kishte filluar, televizioni po tregonte pamje ku ushtria nga siper me avionë po qëllonin mbi popullin e policinë. Prisnim në ankth se si do të vazhdonte kjo situatë dhe qendruam zgjuar të deri në orën 4-5.

Më vonë kur po dëgjonim se policia po merrte urat dhe aeroportin, ishte sikur te kishim triumfuar dhe ne bashkë me popullin turk. Situata nuk ka përfunduar akoma, një pjesë e njerëzve janë akoma në rrugë duke brohoritur.

A ju shkoi në ndonjë çast nëpër mend të dilnit edhe ju bashkë me turmën për të mbrojtur institucionet pas thirrjeve në media?

Fakti se kohët e fundit ka patur plasje bombash dhe se MPJ në Shqipëri njoftoi të gjithë shqiptarët në Turqi të qendronin brenda dhe ne vendosëm mos të përziheshim me turmën.

Mbrëmë, familjarët tuaj ju telefonuan? Mund të ndani ndonjë bisedë që keni bërë me ndokënd prej tyre në momentet e para të trazirave?

Në ato momente familjarët po na telefononin dhe me shumë të drejtë ishin të shqetësuar. Të tjerë po na shkruanin në rrjete sociale për të na pyetur a ishim mirë dhe se cfarë po ndodhte në të vertetë.

Ishin pothuajse të njëjtat mesazhe nga të gjithë, “A je mirë? Mos dil jashtë. Ruaj veten. ”

Po tani, sa të sigurtë ndjeheni pasi situata ende është e tensionuar. Pak orë më parë, “Mirror” publikoi edhe pamjet e rënda ku ushtarit turk i pritej koka nga mbështetësit e Erdogan…

Populli është konfuz dhe i inatosur ndaj vazhdojmë që të mos dalim shumë. Prerja e kokës është një akt i tmerrshëm dhe i panevojshëm por në raste të tilla ekstremistët përfitojnë dhe bejnë veprime që njollosin të gjithë pjesën tjetër.

A keni menduar në ndonjë moment që në gjithë këtë situatë të largoheni nga Turqia dhe të ktheheni në Shqipëri?

Është normale që gjithsecili në këtë situatë do që të kthehet në Shqipëri por më e mira është që të rrimë këtu derisa situata të qetësohet plotësisht

Që do të thotë, në një moment të dytë do ktheheni?

Disa nga ne do të kthehen sepse ashtu kishin planet ndërsa të tjerët do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe punojnë këtu (përfshirë mua) por nuk kemi vendosur akoma dhe ne jemi të konfuzuar.

Tani Erdogan sapo foli përpara turmës manifestuese. A ju bën kjo më të sigurtë?

Nuk po i ndjek lajmet aktualisht, por pritej që ai të dilte e të fliste por kjo nuk ndryshon asgjë për ne. Mund të them se populli ka patur një reagim aq të shpejte sa e tregoi qartë se është zot i vendit të vet. Në rrugë nuk kanë dalë vetëm mbështetësit e Erdogan por pothuajse i gjithë populli pasi nuk lejojnë që ndryshimet të vijne pa konfirmimin e tyre. /Nga Anta Muçaku për Newsbomb.al/

Temat
LajmeRajon

Të afërta