SHBA kundër Microsoft

Qeveria amerikane nuk mund të detyrojë Microsoftin që t’i japë autoriteteve akses në serverat e kompanisë në vende të tjera.

Kështu vendosi një gjykatë apeli në SHBA, një vendim që po konsiderohet si një precedent për të mbrojtur privatësinë e shërbimeve që ofrojnë ruajtje të dhënat online.

Çështja nisi kur departamenti amerikan i drejtësisë kërkoi akses në serverin e Microsoft në Irlandë si pjesë e një hetimi për trafikun e drogës. Gjykata e shkallës së parë në Manhatan i dha të drejtë autoritete në vitin 2014, por gjykata e apelit e rrëzoi atë vendim.

Zyrtarë amerikanë thanë se ishin të zhgënjyer nga vendimi dhe se po mendonin për hapat e mëtejshëm që mund të jetë Gjykata Supreme.

Kompania Microsoft e përshëndeti vendimin duke thënë se ai bën të qartë limitet e qeverisë.

Sipas Microsoft ky është edhe një mesazh për njerëzit që ti besojnë teknologjisë. Gjykatësja Susan Karny që hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë tha se një ligj i vitit 1986 kufizon fuqinë e mandateve amerikane jashtë SHBA.

Sipas saj, këto kufizime janë të nevojshme për të ruajtur raportet mes vendeve. Ajo gjithashtu shtoi se ka mekanizma për bashkëpunim mes vendeve në këto hetime, megjithëse agjencitë e ligjit shpesh ankohen se kjo rrugë është më e shtrenjtë dhe konsumon shumë kohë. Sipas agjencive të ligjit, magazinimi i të dhënave në servera dhe kodimi i tyre po krijon një parajsë të sigurt për kriminelët. /Top Channel/

Temat
BotëLajme

Të afërta