Serbët e shpërngulur nga Gjakova planifikojnë që gjatë këtij viti ose në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, të kthehen kolektivisht në këtë qytet.
Ata e kanë marrë këtë hap “pasi kthimi individual është utopi që nuk ka dhënë rezultatet tash e 16 vjet”, ka deklaruar përfaqësuesi i tyre Gjokica Stanojeviq.
Duke marrë pjesë, bashkë me 205 serbë nga Gjakova, në kremten e manastirit Shën Kozmai në Zoçishtë, rinovuar këto ditë, Stanojeviq agjencisë Beta i ka thënë se është në kontakt me banorë të Gjakovës dhe se, sipas tij, ka informacione për shkatërrimin sistematik të shtëpive serbe në Gjakovë.
“I kemi njoftuar të gjithë për qëllimet tona që të kthehemi në pronën tonë. Nuk pranojmë kthime individuale sikur në mjediset tjera sepse kjo është utopi që nuk ka dhënë rezultate për këto 16 vjet. Ne dëshirojmë kthim kolektiv në rrugët tona, në pjesën tonë të qytetit dhe aty të rigjallërojë shkolla, çerdhja dhe ekonomia”, ka thënë Stanojeviq, transmeton Koha.net.
Sipas fjalëve të tij, serbët në Gjakovë nuk e kanë shitur 90 për qind të pronës.