Lajme

PSHDK:Sulm i tmerrshëm barbar, i terroristëve kundër vlerave qytetëruese Evropiane

By Emanuel Demaj

July 15, 2016

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës shpreh dhembjen për viktimat e pafajshme, të cilat pësuan me rastin e aktit terrorist islamik, me ç’rast një person rrëmbeu kamionin dhe duke e ngarë me shpejtësi në drejtim të Sheshit në Nice të Francës, ku po mbahej ceremonia e përkujtimit të Bastiles, shtypi qindra qytetarë që kishin dalur për ta përcjellur ndezjen e fishekzjarreve në nderim të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës.

Sipas informacioneve që kemi, deri në këto çaste, në këtë akt barbar terrorist gjeten vdekjen 84 qytetarë, kurse shumë të tjerë u plagosën rëndë e lehtë, në mesin e tyre pleq, gra e fëmijë.

PSHDK-ja , sikur edhe herave të tjera në raste të këtilla, solidarizohet me viktimat e pafajshme dhe shtetin e Francës, duke kërkuar me ngulm që të fuqizohet aleanca kundër terrorizmit islamik, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë popujve të botës, pavarësisht gjuhës, kulturës, besimit, ngjyrës etj. t’u krijohen kushtet që të jetojnë në paqe e harmoni.

Të goditet sot qendra e kulturës botërore dhe një nga bastionet e artit, letërsisë e kulturës evropiane, dhe jo vetëm e këtij kontinenti, është veprim i paramenduar mirë, për të ndryshuar drejtimin e rrjedhave të qytetërimit evroperëndimor, duke e zëvendësuar me një civilizim tjetër sa të prapambetur, aq edhe antihuman.

Franca është një shtet, e cila në vazhdimësi ka qenë e hapur për emigrantët hallexhinj, të cilët për shkaqe ekonomike dhe të tjera kanë braktisur vendet e tyre dhe kanë gjetur strehim e përkujdesje në këtë vend evropian me traditë dhe kulturë shumë të lashtë, në zemër të këtij kontinenti.

Franca si vend i mundësive të mëdha, jo rrallë ka qenë edhe shënjestër e sulmeve, pikërisht të atyre që kanë gjetur shpëtimin për vete dhe familjet e tyre, duke e keqpërdorur kështu në mënyrën më të egër nikoqirllëkun e saj.

Mirëpo, sot jo vetëm Franca, por i gjithë kontinenti u është ekspozuar sulmeve të këtilla terroriste për të mbjellur frikë e panik, të shkaktohen sa më shumë rrënime, vrasje e gjakderdhje me qëllim të pengimit të demokratizimit edhe të atyre shoqërive si qëllim final, që sot vuajnë nën thundrën e regjimeve diktatoriale , autokratike dhe despotike .

PSHDK-ja edhe njëherë rithekson se mbështet dhe qëndron pranë atyre shteteve, të cilat janë për ashpërsimin e luftës kundër terrorizmit, veçmas atij islamik, si kërcënim global.