Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, nuk është treguar shumë i zoti që t’u ndihmojë shqiptarëve të pjesës veriore të Mitrovicës.
Përveç me fjalë, njeriu që ka premtuar bashkimin e Mitrovicës dhe largimin e barrikadës mbi urë, nuk ka arritur ta konkretizojë asnjë marrëveshje të arritur me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Pavarësisht këtyre, Bahtiri vazhdon t’u japë shpresa shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, ndonëse edhe vetë e thotë se nuk ka asnjë kompetencë në veri me të cilën qeverisin Goran Rakiq dhe Aleksandër Spiriq.
Shqiptarët e veriut pengohen madje edhe me polici sa herë që tentojnë t’i fillojnë punët në ndërtimin e shtëpive. Së fundi, tani serbët kanë bllokuar krejtësisht edhe rrugën që shpie në lagjen “Kroi i Vitakut” dhe banorët shqiptarë tani e kanë të vështirë që ta dërgojnë atje materialin ndërtimor për ndërtimin e shtëpive të tyre.
Duke qenë të diskriminuar në aspektin e ndërtimit të shtëpive në pronat e tyre, duke qenë të penguar të kthehen e të jetojnë në shtëpitë dhe banesat e tyre në veri të Mitrovicës, nga janë dëbuar me forcë në shkurtin e vitit 2000, shqiptarët e veriut të Mitrovicës tani kanë mbetur “si gusat në mjegull” pa mbështetjen e askujt.
Shpresa e vetme e tyre – Agim Bahtiri, përveç me fjalë nuk është treguar shumë “i zoti” që t’u bëjë çare tek homologu i tij, Goran Rakiq, që të paktën t’u japë leje shqiptarëve të ndërtojnë në pronat e tyre.