E mbani mend Marian që u vra për gjakmarrje e që ishte vetëm 16 vjeç? Nëna e saj, Manushaqja ka një mesazh për të gjithë ne.
‘’Eshtë shumë vështirë të harrosh’’, rrëfen nëna mes lotësh e dhimbjesh. Historia e një familje, që fati tragjik e deshi që vajza e tyre, që ndodhej rastësisht me gjyshin e saj duke punuar tokën, të vritjen nga plumbat e gjakësit. Gjakmarrja në Shqipëri nuk i prek femrat, por fati i keq e deshi që një familje të shkatërrohej.
Liliana Luani, është një mësuese që në mënyrë vullnetare ndihmon fëmijët që janë ngujuar nga Gjakmarrja.
Babai i Taulantit, një nga fëmijët ku ajo shkon për ta mësuar, u kthye në një vrasës të dënuar në 1995 pas një sherri, sipas mësueses.
Ai fshihet nëpër male me dy fëmijët e mëdhenj të tij, të moshës 16 dhe 17 vjeç. Dy apo tre herë në muaj, Taulanti rrezikon për të shkuar në shkollë. Turpërohet për unazën që ka vendosur në gisht, duke thënë se aty ka zënë një shoqe. Por ai e di se një ditë do të duhet të bashkohet me babain dhe familjarët e tjerë të fshehur nëpër male.
“Gjakmarrja po na rëndon shumë”, thotë nëna e Taulantit.
Maria Quku, 16 vjeç, motra e Marcelit, u qëllua në mënyrë fatale përpara vëllait më të ri në moshë në qershor 2012 nga një njeri i armatosur që kishte targetuar gjyshin e saj, që i kishte vizituar në atë kohë.
Krimi i vetëm i Marias ishte që ishte kushërira e njeriut që vrau një tjeter person gjatë një sherri në 2010. Mamaja e saj, Manushaqe Quku, 40 vjeç, mësoi për vdekjen e saj vetëm kur burri i kërkoi që të nxirrte rrobat për të veshur trupin e vajzës përpara funeralit. Ajo jeton në fund të një rruge gjithë gurë, në një shtëpi të vetmuar, ku fotot e Marias mbushin muret.
Burri i saj sigurisht që është target dhe nuk jeton më në shtëpi. Djali i tyre i parë, Mariani, është fshehur diku, por Marceli mbetet duke u marrë me një rrip toke rreth shtëpisë së tyre.
Marceli refuzon të shkojë në shkollë ndërkohë që nëna e ka ndaluar që të shkojë të notojë në një liqen 200 metra larg shtëpisë. “E di se do ta mbyll në vete djalin me këtë gjë, por kam shumë frikë”, thotë Manushaqja. “Familja jonë ka humbur tërësisht”, qan ajo duke pyetur për të ditur se pse e vranë Marian dhe shton: “Është shumë e vështirë të harrosh”.
****
Fëmijët e gjakmarrjes jetojnë një jetë në varfëri, shpeshherë edhe nga pamundësia për të shkuar në shkollë për shkak të frikës se mund të vriten në realitetin e përditshëm. Këta janë fëmijët që rriten nën hijen e të ashtuquajturës Gjakmarrje, shkruan AFP.
Gazetarët takuan disa të rinj që jetojnë nën realitetin e gjakmarrjes.
Klevis, 13 vjeç thotë se do të bëhet doktor ndërkohë që vëllai i tij Alberti, 11 vjeç aspiron të jetë ministër i Drejtësisë.
Marceli, 13 vjeç dëshiron të bëhet këngëtar, ndërsa Taulanti, 13 vjeç (jo në emrin e tij të vërtetë) kërkon të bëhet futbollist.
Por pavarësisht ambicieve të tyre, asnjë prej tyre nuk mund të shkojë në shkollë, të luajë në klube futbolli, apo të mësojë muzikë.
Familjet e tyre janë në gjak, shpjegon Klevis, të përfshira në cirkun e vdekjes dhe hakmarrjes prej trashëgimnisë. Klevis, Alberti dhe Marceli janë pjesë e të njëjtës familje që është detyruar të ngujohet në shtëpi, duke pritur sulmin nga të gjuajtur Gjakës – një vrasës i panjohur.
Ata mund të sulmohen nesër, apo asnjëherë – vetëm sepse ata janë të lidhur me një njeri që ka vrarë një tjetër person në një sherr që ka ndodhur në vitin 2010.
“Ata mund të jenë vrasësit e të nesërmes” thotë Gjin Marku, që promovon pajtimin mes familjeve për qeverisjen lokale.
Gjakmarrja, e ka origjinën në shekullin e 15, në Kanun, një kod social që kishte vendosur rregullat e jetesës së përditshme në mesjetë në Shqipëri.
Ka rregulla të detajuara për gjakmarrjen që thuhen se nëse dikush vret, familjarët e viktimës mund të marrin hak jo vetëm kundër vrasësit, por për të gjithë meshkujt e familjes që i përkasin klanit.
Familjet e atyre që janë përfshirë në gjakmarrje, jetojnë “me dijeninë që ata mund të vriten apo duhet të vriten”, thotë kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.
Por Marku nuk e konsideron kodin e Kanunit përgjegjës për këtë fakt. “Kur institucionet nuk punojnë dhe sistemi i drejtësisë dështon, këta njerëz nuk gjejnë zgjidhje për problemet e tyre” thotë ai.
Dëmtim i imazhit të Shqipërisë
Shqipëria u përfshi në këtë lloj tradite hakmarrje pas anarkisë së ndodhur me përfundimin e komunizmit, në ’90. Ombusmani i qeverisë, përgjegjës për të ndjekur këto raste, Igli Totozani bie dakord se krimet që kanë ndodhur nuk janë çështje e traditës. Autoritetet nuk i japin shifrat e atyre që janë të prekur nga gjakmarrja nën frikën e prishjes së reputacionit të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
“Kur mungon shteti, hakmarrja e zëvendëson”, thotë Igli Totozani duke shtuar: “Ne dëmtojmë imazhin e Shqipërisë duke u sjellë sikur ky problem nuk ekziston”.
Sipas një raportimi të publikuar në prill, vlerësohet se 66 familje me 157 persona, mes të cilëve 44 fëmijë mbeten të fshehur. Disa nga 57 familjet, jetojnë në apo rreth Shkodrës dhe ankimet te policia janë të rralla, thuhet në raport. /Newsbom.al/