Instituti i Shëndetit Publik: Qytetarët pinë ujë cilësor, shkrimet po bëhen për reklama

Një Agjenci e njohur raporton se në Kosovë uji nuk duhet të konsumohet, ekspertët thonë se është thjeshtë një opinion dhe nuk duhet të merret seriozisht megjithëse ka disa të vërteta, e Instituti i Shëndetit Publik siguron se në Kosovë uji përmes sistemeve të furnizimit është i cilësisë së duhur dhe nuk paraqes asnjë lloj rreziku.

Cilësia e ujit të pijshëm në Kosovë kontrollohet në baza ditore edhe tek resursi ujorë, gjatë linjës së prodhimit, në pikën dalëse të prodhimit e deri te rubinetet.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë thotë se sipas udhëzimeve të Bashkimit Evropian, Kosova ka cilësi të mirë të ujit dhe nuk paraqet asnjë rrezik, flasim këtu për ata që furnizohen nga sistemet, e që është 83% e qytetarëve.

Doktoresha Burbuqe Nushi-Latifi, shefe e sektorit të ujit në IKSHPK-së thotë për lajmi.net se në vitin 2015, për herë të parë është hartuar raporti vjetor në korniza dhe normë të raporteve të BE-së.

“Në këtë raport del që ujin që e pinë popullata e Kosovës, flas për ujin që furnizohen prej sistemeve, dhe ka dal që 98.83 % i plotëson kërkesat e dala nga udhëzimi administrativ”, thotë ajo.

Kështu, një ditë më parë agjencia Citybase apartments ka dal me harta, ku Kosovën e paraqet në vendet ku nuk duhet të mendoni për përdorimin e ujit nga rubinetet.

Doktoresha Nushi-Latifi thotë se këto shkrime janë thjeshtë për marketing.

“Këto shkrime, nuk di kush i ka bërë dhe më intereson fakti se ku i kanë marr këto informacione zyrtare për Kosovën. Po ma merr mendja është ndonjë marketing turistik, e çka është më kryesorja në këndin e poshtëm shkruante se ‘merrni me vete ujë të ambalazhuar’, mundet me qenë edhe marketing i ujit të ambalazhuar apo edhe i filtrave që janë sot shumë në ‘modë’ jo vetëm në Kosovë po gjithkund”, thotë ajo.

“Qytetarët e Kosovës, 83% e tyre që janë të kyçur në sistemin e furnizimit pinë ujë cilësor. Aty këtu kemi dështime mirëpo në përputhshmëri me udhëzimet e nuk e kalojnë as 5% e dështimeve vjetore”, thotë ajo për lajmi.net

Doktoresha thotë se brenga e shëndetit publik është uji i pijshëm te furnizuesit privat.

Fletë për bunarët, për grumbullimin e mbeturinave, ujërat e zeza, bunarët pranë kafshëve, e shumë të tjera.

“Resursin ujor duhet ruajtur si sytë e ballit, uji i pijshëm është problem global. Duhet ruajtur mirë, nuk duhet ndërhyrë në bunarë, ai nuk duhet të jetë më i cekët se 15 metra, i ajrosur me mure anësore, etj…”, thotë ajo.

Ndërsa eksperti i ujërave, Skënder Bublaku thotë për lajmi.net se ajo që thotë Agjencia Citybase është vetëm një opinion, një vlerësim, e që nuk duhet të merret me shumë seriozitet, ngase nuk është institucion kredibil.

“Kur flasim për Kosovën, është një fakt që ne ende nuk e kemi të mbuluar me ujë të pijshëm të gjitha zonat, dhe në disa zona ku nuk kontrollohet uji mund të konstatohet se ka probleme me kualitet, ky është një fakt që qëndron”, thotë ai.

Bublaku vlerëson se Thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës duhet të jep vlerësimin dhe mendimin për këtë dhe pranon se në disa zona ku nuk ka ujë nga sistemet publike, mund të thuhet se është e dyshimtë cilësia, madje edhe ndodh të mos jetë i përdorshëm.

“Megjithatë, Agjencia si kjo, merr të dhëna nga Institucionet që dokumentojnë se në shumë zona, jo vetëm në Kosovë, në pamundësi me furnizim me ujë nga sistemet e kontrolluara, ndodh që furnizimi individual mund të mos jetë i cilësisë. Besoj që ky raport ka të bëjë me pjesë e pambuluara nga sistemet publike”, thotë Bublaku për lajmi.net

Në anën tjetër, drejtori i Organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku thotë për lajmi.net se gjithmonë kanë qenë të bindur se uji që konsumohet në Kosovë është i sigurt.

“Kështu të paktën na kanë informuar e bindur kompetentët nga IKSHPK-ja. Kemi bërë pyetje edhe për arsyen se përse nuk informohemi për cilësinë e ujit që e pimë por marrim vetëm përgjigje se uji është i pijshëm ?!”, thotë Kaçaniku për lajmi.net

“Shpresoj se tani e tutje, do të flasin edhe më zëshëm burimet e informacionit për ushqim të shëndetshëm në BE dhe të gjithë ata që mëtojnë t i fshehin informatat e qenësishme për shëndetin dhe jetën e qytetarit konsumator – do të vetëdijesohen e të binden se me forma konsipative nuk mund të ikën larg”, thotë ai.

Agjencia Citybase po ashtu kërkon kujdes nga turistët edhe kur i pastrojnë dhëmbët, që ujin assesi mos ta pinë. Po ashtu kërkohet kujdes edhe kur freskohen në pishina ose lahen në afërsi të pishinave.

Sipas hartës, uji i çezmave nuk bën të konsumohet, përveç Kosovës, as në Shqipëri, Serbi, Armeni, Bosnjë, Kroaci, Bullgari, Qipro, Estoni, Azerbajxhan, Qipro, Estoni, Gjeorgji, Hungari, Kazakistan, Lituani, Mali i Zi, Rumani, Moldavi, Rusi, Sllovaki, Turqi dhe Ukrainë, transmeton lajmi.net.

Ndryshe, IKSHPK është institucion i autorizuar për monitorimin e cilësisë së ujit për pije.

Sipas të dhënave, që nga fillimi i vitit 2013, IKSHPK vepron në bazë të direktivës evropiane për ujin e pijshëm për konsum njerëzor. Pra, është duke u zbatuar direktiva e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë se çdo veprim që kryhet në veprim apo kontroll të cilësisë së ujit në Evropë, bëhet edhe në Kosovë.

Ndërsa, uji në Kosovë me program të Danubit, i cili i përfshinë shtetet e pellgut të lumit Danub, ku është gjysma e Evropës dhe krejt Ballkani, Kosova për vitin 2014 e ka pasur përshtatshmërinë 98%, vetëm Austria ka qenë më mirë se Kosova ndërsa të tjerat janë pas Kosovës. / Lajmi.net

Temat
LajmeVend

Të afërta