Dyshimet për varrezë masive në UP, vazhdojnë gërmimet

Departamenti i Mjekësisë Ligjore, në mëngjesin e sotëm ka filluar gërmimet afër kishës ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ku po dyshohet për varrezë masive.

Dyshimet për varrezë masive brenda kampusit universitar i përkrah edhe Përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur në Mitrovicë, Bajram Qerkinaj, i cili tha se është gabim nëse përmendin numra.

Më tej, Qerkinaj tha se është i zhgënjyer se si pas 17 viteve në Kosovë, në qendër të Prishtinës po gërmohet.

Sipas tij, ekzistojnë dyshime të bazuara të jo vetëm një dëshmitari, por të disa dëshmitarëve, të cilëve thotë se u besojnë.

“Dua të them një gjë se unë si familjar jam i zhgënjyer, jam i prekur, jam i mërzitshëm për shkak se pas 17 viteve në Kosovë, në qendër të Prishtinës po gërmohet. As një fjalë nuk mundet me u zotu, as të thuhet janë dy a tre, a dalin a s’dalin. Dyshimet e dëshmitarëve duhet shlyer. A punohet sot a punohet edhe sot një javë akoma nuk duhet. Jena komplet stafi i njerëzve që merren me këtë çështje, komplet jena duke punuar edhe me kënaqësi për herë të parë e kemi edhe prokurorin. Na po vina kadal-kadal tu u ndreq në këmbë dhe unë besoj që tu e zbardh fatin e atyre që ne i kërkojmë”, tha Qerkinaj.

Qerkinaj konfirmojë se brenda dy ditëve do të dalë rezultati lidhur me punimet që po zhvillohen në atë pjesë.

I pyetur për vërtetësinë e dyshimeve, Qerkinaj tha se po të mos kishin dyshime të bazuara, nuk do të fillonin gërmimet.

“Mos me pas dyshim të plota që i kemi besuar dëshmitarit, nuk ishim sot këtu duke punuar. Kem besim në ata dëshmitar, nuk është një por janë shumë dhe e kanë verifikuar njerëz që marrin rrogë për atë, njerëz që marrin rrogë për atë punë dhe neve familjarëve na kanë bind që duhet të gërmojmë…Është gabim te thuhet ose të nijnë familjarët se dalin 2, 3, ose 4, këtë nuk e din askush, po thjeshtë dyshohet për varrezë masive. Dhe besoj që brenda dy ditëve do të del rezultati nëse po ose jo”, tha Qerkinaj.

Sipas tij, duhet pasur kujdes me familjarët e të pagjeturve, të cilët janë më të prekurit nga këto gërmimet, andaj thotë se nuk duhet ofruar numra, pasi këtë nuk e di askush.

Temat
LajmeVend

Të afërta