Një skenë të tmerrshme la mbrapa përplasja e dy trenave në Puglia të Italisë ditën e sotme, ku si pasojë deri tani 20 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Dëshmitë që vijnë nga qytetarët dëshmitarë në vendngjarje janë rrëqethëse.
Sipas mediave italiane mësohet se një nënë është parë e përqafuar me të bijën, të dyja të pajeta në skenën e ngjarjes. Mes të vdekurve, është edhe një djalë i ri ndërsa një vogëlush u nxor i gjallë nga hekurishtet e trenave të përplasur dhe u transportua me një aumbalncë për të marrë ndihmën e parë.
Numri i viktimave ende nuk është zyrtar pasi pritet të rritet orët në vijim deri sa të përfundojë operacioni i nxjerrjes së trupave nga rrënojat. Mediat italiane shkruajnë se shkaku i aksidentit ende mbetet për t’u sqaruar, por thuhet se ata po ecnin në të njëjtin binar. Trenat po udhëtonin me rreth 100 kilometra në orë dhe përplasja ka qenë shumë e fortë.