O’Connel: Qeveria t’i prezantojë faktet para qytetarëve për demarkacionin

Qeveria duhet t’ua prezantojë faktet qytetarëve të saj në lidhje me atë se si u shënjua pika kufitare me Malin e Zi, ky ka qenë sugjerimi që e ka dhënë të martën ambasadori Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruair O’Connel.

Pas një takimi që ka pasur me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, O’Connel ka thënë se nuk duhet folur në ajër, por duhet shikuar të gjitha faktet Megjithëse është shprehur se i kupton njerëzit që mund të ndihen mirë kur mendojnë se po e mbrojnë Republikën dhe tokën e saj, por sipas tij, para se të vazhdohet në këtë drejtim, duhet shikuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur, raporton KTV.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të shqyrtojë opsionin e hapjes së një debati publik, siç ka thënë ai, për t’i “furnizuar qytetarët me fakte”.

Në anën tjetër, ministri Hoxhaj, ndonëse ka folur për rëndësinë e demarkacionit me një shtet anëtar të OKB-së, nuk ka specifikuar se kur ky proces do të kalojë në Kuvend, pasi, sipas tij, kjo i takon kryeministrit.

Sa i përket njohjeve të reja, Hoxhaj ka premtuar se nuk do të lërë gur pa lëvizur, pasi njohjet janë jetike edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për ç’gjë ka marrë mbështetjen e ambasadorit britanik.

Ndërkaq, O’Connell ka theksuar, se pavarësisht zhvillimeve brenda Britanisë së Madhe, Kosova do ta vazhdojë ta ketë përkrahjen e shtetit të tij.

Temat
LajmeVend

Të afërta