NISMA për Kosovën rikthet në Kuvend

Nisma për Kosovën nuk do të mungojë në cilëndo ditë që do të vendoset mbajtja e seancës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Ata do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre që një gjë e tillë të mos ndodhë, duke mos bërë të njohura metodat se si do të pamundësojnë ratifikimin e tij, raporton lajmi.net.

Ndonëse krerët e shtetit kanë paralajmëruar se thirrja e seancësn për këtë çështje do të ndodhë shumë shpejtë, ende nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të mblidhen pozitë e opozitë në ambientet e Kuvendit për të vazhduar ose jo me Demarkacionin.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se nuk do të bojkotojnë seancën kur demarkacioni të shkojë në Kuvend për ratifikim.

“Nuk e dimë a do ta sjellin të mërkurën, ndonjë ditë tjetër apo nuk do ta sjellin fare. Kjo çështje nuk është në dorën tonë. Rruga më e mirë do të ishte që të mos e sjellin fare, mirëpo nëse vendosin ta sjellin, kurdo që ta sjellin, deputetët e NISMA-s për Kosovën do të marrin pjesë në seancë për ta kundërshtuar versionin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”, sqaroi Sherifi.

Ai shpjegoi tutje se ky version i marrëveshjes është shumë i dëmshëm për Kosovën prandaj vazhdon të mbetet i papranueshëm.

Çështja e demarkaciniont ka kohë që është duke u zvarritur. Madje për këtë opozita, veçanërisht lëvizja Vetëvendosje pati përdorur mjete nga më të ndryshmet që ta kundërshtojnë Asociacionin e po ashtu edhe Demarkacionin.

E demarkacioni me Malin e Zi është kusht kryesor që Kosova të jetë edhe një hap më afër liberalizimit të vizave. Pa ratifikimin e tij, Kosova mund të mbetet edhe më tutje e izoluar.

Opozita vlerëson se Kosovës po i merret shumë tokë nga Mali i Zi. Por ekspertët e huaj që u morën me këtë punë konsideruan se nuk është bërë asnjë gabim dhe shkelje ndaj kësaj./lajmi.net

Temat
LajmeVend

Të afërta