Imami i një xhamie të kryeqytetit rus është akuzuar se publikisht e arsyeton “terrorizmin dhe thirrjet për vepra terroriste”, ka thënë një avokat mbrojtës.
Makhmud Velitov, imami i xhamisë Yardyam “është arrestuar dje ndërsa policia ia ka bastisur shtëpinë dhe xhaminë e tij”, ka thënë avokati Dagir Khasanov më 12 korrik.
Avokati gjithashtu ka thënë se Velitov e ka pranuar pjesërisht fajin, pa dhënë ndonjë detaj.
Akuzat janë ngritur duke u mbështetur në një intervistë televizive dhe një ligjeratë të imamit në xhami.
Agjencia e lajmeve, TASS, e ka cituar një burim anonim të Policisë në kryeqytetin rus duke thënë se imami është arrestuar me dyshimin se ka përhapur “literaturë ekstremiste të ndaluar” në Rusi.
Zëdhënësi i departamentit qendror të Komitetit Rus të Hetimeve i ka konfirmuar akuzat duke thënë se “rasti penal kundër Velitovit është ende duke u hetuar”.
Hetuesit thonë se ai, gjatë një ligjerate në xhami më 23 shtator, ka bërë përpjekje që të arsyetojë aktivitetet e anëtarëve të organizatës ekstremiste të ndaluar, “Hizb-ut-Tahrir”.
Nëse dënohet, hoxha mund të burgoset për shtatë vjet./rel