Arrestohen dy shqiptarë për drogë me vlerë 4 milionë euro

Një sasi prej 800 kilogramë marijuanë e 3 persona të arrestuar, 2 shtetas shqiptarë e 1 shtetas nga Mali i Zi është bilanci i operacionit të Policisë italiane i ekzekutuar gjatë ditës së sotme në provincën e Leçes.

Në një depo në zotërim të një shtetasi nga Mali i Zi por rezident në Itali, në komunën Casalabate të Leçes, policia italiane ka sekuestruar 600 kg marijuanë e një pistoletë.

Sipas raporteve, lënda narkotike do të vlente rreth 4 milionë euro.

150 kg marijuanë të tjera janë sekuestruar në automjetin e 2 korrierëve shqiptarë që merreshin me transportin e shpërndarjen e saj në të gjithë territorin italian.

Hetimet e operacionit policor kanë vërtetuar se shqiptarët trafikonin çdo ditë non-stop lëndën narkotike me anë të automjeteve të marra me qira.

Pas çdo rikthimi në depo, korrierët shqiptarë rimbushnin makinën me drogë e riniseshin për një transport të ri të lëndës narkotike.

Sipas policisë italiane kjo depo ishte një pikë e rëndësishme e depozitimit dhe shpërndarjes së drogës në veri të Italisë e në pjesën qendrore të saj.

Temat
LajmeRajon

Të afërta