Vritet një gazetar në Siri

Televizioni “Al Jazeera” ka njoftuar se një nga reporterët e saj është vrarë në Sirinë veriore nga sulmet ajrore në qytezën e Termanin, në krahinën Idlib më 11 korrik.

Televizioni me seli në Doha, e ka identifikuar gazetarin me emrin Ibrahim al-Omar, i cili ka raportuar për kanalin televiziv të kësaj kompanie që transmeton lajme drejtpërdrejtë.

Aktivistët vendorë thonë se tetë persona janë vrarë në sulmet ajrore të cilat e kanë goditur një treg nafte.

Observatoriumi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër ka thënë se në fakt numri i viktimave është 14 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

Asocciated Press e ka cituar aktivistin sirian, Ahmad Barbour duke thënë se Omar kishte shkuar në Termanin për të raportuar për pasojat e sulmit të parë ajror, dhe në momentin që ka shkuar atje është kryer edhe një sulm tjetër ajror dhe aty është vrarë Omar.

Së paku gjashtë pjesëtarë të stafit të “Al Jazeeras” janë vrarë derisa e kanë mbuluar konfliktin sirian i cili është nisur në vitin 2011.

Organizata “Reporterët Pa Kufinj” me seli në Paris njofton se shtatë gazetarë janë vrarë vitin e kaluar në Siri, ndërsa në vitin 2014 janë vrarë 15 gazetarë.

Temat
BotëLajme

Të afërta