Nesër 25 vjetori i PS-së, detaje nga festa, ftesë për Fatos Nanon dhe Lulzim Bashën

Socialistët festojnë të martën 25 vjetorin e krijimit të partisë. Rreth 1500 të ftuar do të marrin pjesë në festën që do të zhvillohet në oborrin e pasëm të PS-së.

Ftesë i është dërguar dhe Lulzim Bashës i cili nuk dihet nëse do të thyejë traditën e përvitshme dhe në këtë jubile të socialistëve, të marrë pjesë në ftesë, por edhe gjithë ish-presidentëve, ish-deputetëve, ish-kryetarëve ku përfshihet dhe Fatos Nano dhe të gjithë funksionarëve pa përjashtim ndër vite që kanë qenë pjesë e PS-së.

Musa Ulqini, një prej organizatorëve të këtij eventi, në intervistën për Report Tv jep detaje rreth festimeve jubilare të 25 vjetorit të PS. Ftesa e 25 vjetorit do të zhvillohet rreth një muaj me vonesë për shkak të Kampionatit Europian të futbollit.

“Do jetë një festë e gëzueshme, shumë serioze nga pikëpamja e protokollit, do jetë edhe një festë e madhe. Ne kemi ftuar të gjithë ekipin që ka menaxhuar Partinë Socialiste në 36 rrethe dhe Grupin Parlamentar historik nga 92-shi e këtej, ish ministrat socialistë, Asamblenë e Partisë Socialiste nga 91 e deri më sot, Kryesinë, Ekipin ekzekutiv. Pra është ftuar i gjithë ekipi që ka menaxhuar partinë socialiste në këto 20 vite”, u shpreh Ulqini.

Ftesë ka edhe për liderin historik të socialistëve Fatos Nano. “Zoti Nano, zoti Mejdani të gjithë drejtuesit dhe themeluesit e Partisë Socialiste nga dita e parë e krijimit të kësaj partie dhe deri më sot janë të ftuar”, tha Ulqini.

Por a do të ketë ftesë për Sali Berishën? “Janë ftuar drejtuesit e të gjitha partive parlamentare. Natyrisht, e veçantë është se ne u kemi bërë ftesë me emër të përveçëm të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të LSI-së dhe të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të PDIU-së me të cilët ne jemi në mazhorancë në këtë koalicion qeverisës”.

I ftuar rezulton kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe nënkryetari i Kuvendit, i cili njëherazi është edhe nënkryetar i PD. “I kemi dërguar ftesë kryetarit të Partisë Demokratike dhe besojmë se Partia Demokratike do të bëjë zgjedhjen e vet. Kemi ftuar edhe nënkryetarin e Parlamentit që është edhe nënkryetari i Partisë Demokratike”, theksoi më tej Ulqini.

Ftesat me mesazhin vëllazëror të Edi Ramës, janë shpërndarë që të enjten, ndërsa askush nga zyrtarët socialistë ndër vite nuk do të mbetet jashtë.

I gjithë trupi diplomatik, krerët e institucioneve shtetërore, krerët e partive politike aleate dhe atyre parlamentare do të akomodohen në oborrin e ristrukturuar të PS-së.

Temat
LajmeRajon

Të afërta