Familja gjen pas 65 vitesh eshtrat e të pushkatuarit

Një familje nga fshati Mërqi në Lezhë, arrin të gjejë, me nismën e saj personale, pas 65 vitesh eshtrat e familjarit të tyre, i pushkatuar nga regjimi komunist.

Eshtrat e Ndrec Mark Zefit u gjetën në malin e fshatit, në afërsi të kishës ku ishte pushkatuar në moshën 41- vjeçare, pas kundërshtimit të regjimit të kohës. Kanë qenë këmbëngulja e familjarëve që mundësoi gjetjen e eshtrave të tij.

Ata i kërkonin prej 25 vitesh, por pas më shumë se dy dekadash, mundi nuk iu shkoi dëm pasi më në fund arritën të pikasnin vendin ku e kishin varrosur. Dila Ndreca (Zefi), vajza e të pushkatuarit shprehet se sot ndihet e lumtur që gjeti eshtrat e babait të saj, pasi i kishin humbur shpresat.

Familja e saj i kishte nisur kërkimet që pas demokracisë, por pas gërmimeve të herëpashershme ishin tërhequr duke shpresuar se një ditë do të mund të gjenin vendin e saktë.

Në fakt, gjatë të gjithë kohës, ata janë orientuar nga një banor i moshuar i fshatit, i cili asokohe ishte ndeshur me ekzekutorët e bashkëfshatarit të tij në zonën ku ai ruante bagëtinë. Ai kishte dëgjuar edhe të shtënat dhe një ditë më pas kishte parë vendin ku e kishin varrosur.

lezhe-ndrec-mark-zefi_1468266489-8405793

Por më pas askush nuk guxonte të afrohej afër zonës, dhe erozioni ka bërë të vetën. I moshuari pas demokracisë mbante mend zonën, por jo pikërisht vendin ku ishte varrosur bashkëfshatari i tij.

“Ka 25 vite që kërkoj eshtrat e babait tim. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar, por ka qenë tepër e vështirë për t’i gjetur. Dikush më thoshte kanë humbur e dikush tjetër nuk janë këtu. Na dhanë informacion se në malin pranë kishës është vrarë babai dhe nisëm të kërkojmë. Kemi gërmuar në disa vende këtu dhe më në fund i gjetëm eshtrat e tij. Unë sot jam shumë e gëzuar, pasi i kisha humbur totalisht shpresat se një ditë do të gjej eshtrat e babait tim.

lezhe-vendi-ku-u-gjeten-eshtrat_1468266505-2807809

Ai është vrarë në moshën 41-vjeçare, dhe unë, në atë kohë kam qenë shumë e vogël. Jam rritur jetime dhe kam qëndruar te shtëpia e gjyshërve të mi, derisa jam martuar”, thotë Dila Ndreca. Banorë të vjetër të zonës të cilët mbajnë mend ngjarjen thonë se Zefit i është zënë pritë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilët më pas e kanë ekzekutuar dhe varrosur në të njëjtin vend.

Banorë të fshatit pohuan se Ndrec Mark Zefi është vrarë në tentativë për t’u arratisur. Ai kishte lënë takim me disa shokë të tij për t’u nisur së bashku drejt kufirit. Por mesa duket, ata e tradhtuan dhe ai u gjend i vetëm në vendin ku e kapën. Regjimi i kohës vendosi ta pushkatonte.

Eshtrat e gjetura janë rivarrosur, ndërsa dje familjarët pas 65 vitesh do ta dinë vendin ku prehet i afërmi i tyre. Si ky rast ka me qindra në vendin tonë, ku eshtrat e shumë të pushkatuarve vijojnë të mos gjenden. /Panorama/

Temat
LajmeRajon

Të afërta