Brucosh, mirësevjen!

Emërtimi brucosh përdoret për studentët e vitit të parë në fakultet. Në Kosovë kjo fjalë përdoret edhe sot e kësaj dite, pa çka se ka hyrë nga serbishtja a kroatishtja.
Atje besohet te ketë hyrë nga latinishtja “brutus” që do të thotë përafërsisht “i trashë nga mendja”, ndoshta në kuptim lëndë e parë, e paformësuar.

Në italisht “bruco” i thonë larvës së fluturës. Në anglisht studentit të vitit të parë i thonë “freshman”. Duket më humane? Ndoshta, por jo krejt (edhe ne anglisht ky term ka një dozë përkeqësuese). Këto shpjegime mund të mos kishin rëndësi, sikur kishin me të thirrë student i ri, madje as “matricola” (fillestarë) siç të thërrasin italianët. Gjermanët i thonë “Student im ersten Jahr”,.

Pra, ndonëse tashmë të hyrë në botën e të rriturve, vetë të rriturit të konsiderojnë masë të paformësuar që pret të formësohet gjatë studimeve, ndoshta një larvë që pret të shndërrohet në flutur, ndoshta një i ri taze. Krejt këta terma janë përkeqësues në një mënyrë a në një tjetër. Ti mos u mërzit – je më i ri se ata që të quajnë brucosh, por kjo s’të bën me më pak të drejta se të rriturit e tjerë më të moshuar a më me përvojë se ti – këta terma ta bëjnë më dije se në ç’botë po hyn.

18 +
Pasi ke përjetu stresin e notave të fundit, ethet e ëmbla të mbrëmjeve të maturës, ankthin e testit të maturës, me ç’rast ke mund me i vlerësu edhe profesorët tu nga shkolla e mesme, po hyn në një nivel shkollimi ku nuk ka mbledhje të prindërve, pasi tashmë je i rritur, je mbi 18 vjeç. Me qenë 18 vjeç do me thënë shumë: do me thënë me pasë të drejtën e votës; do me thënë me qenë pjesë e përzgjedhjes së kryetarit të komunës, deputetëve e për pasojë edhe të qeverisë e presidentit. Kaq e rëndë është barra e të hyrit në botën e papërgjegjshme të të rriturve. Me votën tënde, ti mund ta ndriçosh të ardhmen tënde dhe të fëmijëve tu (të duket e çuditshme me të folë për të ardhmen e fëmijëve tu, por nuk je larg), por edhe mund ta errësosh edhe më atë të ardhme. As sivjet s’ke mund të udhëtosh pa viza. Si thu që kjo të vazhdojë edhe më? Në një mënyrë, edhe kjo është në dorën tënde. Ti ke shumë përgjegjësi tashmë, por ke edhe të drejta. Sigurisht që për herë të parë ke vrapu vetë për t’i nxjerrë dokumentat e nevojshme për regjistrim në fakultet, sigurisht për herë të parë ke shku vetëm në komunë për të nxjerrë certifikatat e lindjes, ke shku në shkollë për dëftesat e diplomën, ke shku për të pa se sa pikë ke marrë në testin e maturës e shpejt do të mblidhesh para fakultetit për të pa nëse je pranu, për sa pikë nuk je pranu, i sati je në listë, kush është para teje… Që këtu do të përballesh me atë që do ta vlerësosh ndoshta padrejtësi, do të ankohesh nëse nuk je pranu, do të takohesh me ndonjë komision që me fodullëk a me mirësjellje do të t’i shpjegojë gabimet në provimin pranues. Nëse je i dyti në listë, do ta marrësh pak inat të parin, nëse je i treti do ta xhelozosh pak të dytin e të parin e kështu me radhë. Krejt kjo është nxehje për një garë, të cilën mund ta kuptosh ose jo. Ajo garë është paksa e frikshme, edhe nëse ke qenë nxënësi a nxënësja më e mirë e klasës, djali a vajza më e mençur dhe krenaria e babit e mamit, djali a vajza që do të bëjë garë me vëllanë a motrën më të madhe që ka me ta përqeshë profesionin që ke zgjedhë.

Zgjedhja e profesionit

Por, a ke faj për profesionin e zgjedhur? A ke faj për dëshirën për ta zgjedhë një profesion. A ke faj pse ke regjistru ekonomikun a juridikun ku regjistrohen mijëra studentë dhe ndodhesh i humbur në një turmë aq të madhe konkurrentësh? A ke faj pse ke zgjedhë mjekësinë nën presionin e babit a mamit a gjyshit a gjyshes, apo pse nxënësit e mirë shkojnë në mjekësi? A ke faj që ke zgjedhë matematikën a fizikën dhe zor që mundesh me pasë kolegë studimesh për me dalë me pi kafe, aq pak janë? A ke faj pse ke zgjedhë me studiu gjuhën shqipe dhe krejt të përqeshin duke thënë “a s’po di shqip a”? A ke faj pse ke zgjedhë me studiu letërsinë e dikush të thotë “veç ruju mos le t’shkel naj kerr”? A ke faj pse ke zgjedhë me studiu anglishten a gjermanishten, se është ende modë? A ke faj pse shkon në aktrim, pikturë, muzikë, se janë elitare dhe duhesh prej ditëve të para me i gjetë kafenetë ku rrinë artistët? A ke faj se ke zgjedhë me studiu ndërtimtarinë dhe kanë më të përqeshë elitarët e arkitekturës? A ke faj që ke zgjedhë gazetarinë dhe të thonë thashethemexhi dhe duhet të provosh me hy në punë pa e kry fakultetin? A ke faj që s’ke ide të qartë se çka me regjistru? Kush përveç prindërve të ka orientu? A mos të ka ardhë në shkollë ndonjë broshurë me perspektivën që mund ta kesh nëse studion këtë apo atë drejtim?

Asnjë nga këto s’ka ndodhë. E, një koleg imi, të cilin për korrektësi nuk po e përmend me emër por po i referohem, thoshte se nga dy gjërat më të rëndësishme në jetë që njeriu i zgjedh në moshë të re, njëra prej tyre është profesioni. Hiq prindërit dhe ndonjë arsimtar të përkushtuar, sa i përket shtetit ti ke qenë jetim në zgjedhjen e profesionit. Kjo nuk do të thotë se ke bë zgjedhje të gabuara. Mund të mos e kesh zgjedhë profesionin më të mirë, por ndoshta orientimi i prindërve dhe dija e fituar në njëfarë mase të ka orientu drejt.
Ajo që duhet ta dish me rastin e zgjedhjes së profesionit në Kosovë është se çkado që studion nuk të siguron automatikisht as vend pune as pozitë shoqërore. Në Kosovën e çorientuar duhet të përpiqesh të jesh më i miri në atë që studion. Për më të mirët ka vend, cilido qoftë profesioni që ke zgjedhur.

Por, ti ke dëgju se dija nuk të siguron punë dhe perspektivë në Kosovë. Si mësues potencial yti të them se notat nuk të sigurojnë punë e perspektivë, ndërsa dija po. Tregu i punës është global dhe më të mirët e kanë rrugën hapur edhe në Kosovë edhe jashtë Kosovës – secila kompani, secili institucion ka me pasë nevojë për dijen tënde – askush s’ka me pasë nevojë për notat tua. Sidoqoftë (just in case), mos i neglizho as notat, pasi ato t’i sigurojnë disa përparësi, vazhdim studimesh në master a doktoranturë së paku. Nëse prapëseprapë beson se në Kosovë nuk ka perspektivë për të dijshmit, por vetëm për ata që janë të depërtueshëm në mënyra të ndryshme, ti e ke një fuqi të madhe me vete – të drejtën e votës. Me besu se dija s’ka shumë vlerë është depresive dhe ti s’ke nevojë me besu se është ashtu.

Studentët në shoqëri shpesh shihen si një masë e përshtatshme për t’u manipulu nga strukturat e shoqërisë që nuk u intereson fare për ty. Ata të shohin si masë votuese, të shohin si dashin që përdorej për të shkatërruar dyert e kështjellave, se je pjesë e një mase të fuqishme. Përpjekja për me të manipulu është nëpërkëmbje e dinjitetit tënd, e integritetit tënd, pasi ti me ligj e kanun e me libra të shenjtë konsiderohesh i rritur dhe i pjekur aq sa për të marrë vendime. Merri vetë ato vendime, pa u bë mashë. Të rriturit e përdorin mashën për të kapë gjërat (gacat) të cilat nuk kanë guxim a fuqi me i kapë me dorë. Mos u bëj mashë!

Në fakultet do të hasësh gjithfarë profesorësh. Të mirë e të jo të mirë, jo të mirë e të këqij. Herë do të mahnitesh e herë do të zhgënjehesh. Do të takosh profesorë që japin gjithçka nga vetja për ta transmetu dijen e tyre te ti; profesorë të dijshëm por që s’i japin zor të ta transmetojnë dijen e tyre; profesorë që s’dinë mjaft për vete e që këtë mungesë të dijes a dije të pamjaftueshme e mbulojnë me fodullëk a mujshari, duke mos të lënë të pyesësh kur s’kupton mjaftueshëm e duke të mos lënë të shprehësh mendimin tënd për ndonjë çështje. Mos u mërzit kur profesori të injoron, të ofendon a nuk të lë të pyesësh – kuptoji ata që s’dinë aq sa ta pranojnë se nuk janë të gjithëdijshëm. As mos u mahnit nga profesori që të ofron shumë nga vetja – profesorët paguhen për punën që e bëjnë dhe janë të detyruar ta bëjnë më së miri.

Integritetin dhe dinjitetin tënd ruaji vetë se nuk t’i ruan askush, madje pakkush ka konsideratë për integritetin tënd dhe askush s’të do sa ti veten. Nota nuk është më e vlefshmja. Autoritetet nuk janë më të rëndësishmet. Ti ose prindërit tu paguajnë për shkollimin tënd, ndaj s’ka vend për nënshtrim – dija dhe integriteti e dinjiteti le të jenë në rend të parë – mos lejo të t’i nëpërkëmbin!

Në fakultet do të njohësh plot njerëz të rinj, që mund t’i pëlqesh ose jo, që mund t’u pëlqesh ose jo. Aty mund ta gjeni edhe dashurinë e parë, të dytë… Pakashumë ta merr vëmendjen e mësimit, por ti nuk je robot, je para së gjithash njeri me ndjenja, je qenie inteligjente që duhet me ditë se si e organizon jetën tënde, se si e menaxhon kohën tënde.
Sigurisht që më 1 tetor ke me dëgju fjalë më të bukura mirëseardhjeje nga dekani a dekanja. Besoju edhe atyre fjalëve të bukura. Natyrisht askujt mos i beso verbërisht, se Ti je qenie inteligjente, se ti ke 18 vjet!

(Nëse dikush të thotë se në këtë shkrim ka gabime gjuhësore, mos i besoni – shihe këtë mënyrë të të shkruarit si hyrje në mendimin kritik)

Temat
Opinione

Të afërta