Kronikat televizive për parregullsitë në qytete apo dhe mungesën e kushteve në ato qytete ku turizmi bregdetar është prioritar duket se nuk mirëpriten mirë nga të zgjedhurit vendorë, aq sa arrijnë ‘të shfrynë dufin’ mbi gazetarët.
Kështu ka ndodhur edhe me kreun e bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, i cili është denoncuar sot në rrjetet sociale nga gazetarja, Anila Sefa.
Ka qenë vetë Sefa, e cila ka sqaruar në profilin e saj në Facebook një ngjarje të pakëndshme që i kishte ndodhur në zyrat e Kokoneshit.
Ja ccfarë shkruan gazetarja:
Sot, Fredi Kokoneshi, kryetar i bashkisë Divjake, është i nxehur marrëzisht me gazetarët pse bëjnë kronika televizive për plazhin. Ky njeri, kujton se është pronar i qytetit të tij, madje edhe i mediave. Arrogant deri në piken sa guxon të ngrejë zërin dhe të fyejë çdo gazetar që bën punën e tij, duke pasqyruar realitetin në plazhin Divjake. Vetëm një kronikë televizive në mediat kombëtare, pa shtuar dhe hequr asgjë nga realiteti i atij plazhi, ku pushuesit kërkojnë zhvillim, beri që ky njeri si kokosh të kërcënojë gazetarët, duke i fyer dhe nxjerrë nga zyra.
Pse ore arrogant, kujton se ashtu siç i je shitur politikës, janë të shitur edhe gazetarët? Harron se ka edhe të ndershëm dhe jo gjithmonë gënjejnë ashtu siç do ti. Njerëzit e tu analfabetë dhe të bindur verbërisht, Avdi Snalla dhe Arbër Çela, mund ti përdorësh si ushtarë personal, por jo për të nxjerrë gazetarët nga zyra. Ajo karrige nuk të përket ty, sepse të gjithë e dinë sa djersë ke derdhur për ta fituar dhe jo merituar. Një njeri si ty, që humb qetësinë kur flitet për të vërtetën e atij plazhi që e ke lënë të pisët, që nuk njeh mirësjelljen dhe edukatën, nuk mund të kuptoje mesazhin e kronikave televizive.
Përpara se të ngresh tonin e zërit ndaj mediave, bën mire ti futesh punës për rregullimin e atij plazhi të mrekullueshëm që natyra i ka falur bukurinë, por që njerëz si ty po e shkatërrojnë”, shkruan gazetarja Anila Sefa në profilin e saj në Facebook.