Bie numri i të pickimeve nga rriqrat (Video)

Në qendrën emergjente të QKUK-së përveç rasteve të paraqitura për shkak të temperaturave të larta, ka pasur edhe raste të thumbimit nga rriqrat. Kështu ka thënë Avdush Begolli, mjek në këtë klinikë, që sipas tij, këto raste janë trajtuar menjëherë në qendrën infektive.

Na ana tjetër, Ministria e shëndetësisë për të paralajmëruar qytetarët nga rreziku prej rriqrave ka organizuar fushata informuese e forma tjera organizative, që sipas tyre kanë rezultuar me përgjysmim të rasteve të pickimit nga rriqrat.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, për televizionin ka thënë se në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, për shkak të pranisë së rriqrave në këto zona, janë organizuar fushata, takime me banorë, ligjerata me nxënës dhe është bërë dezinsektimi i territorit.

” Gjithashtu nuk ka pasur asnjë të vdekur. Sezona kundër Etheve Hemorragjike është në muajt e mbylljes tash,” ka bërë të ditur Hoti.

Në takimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemoragjike Krime Kongo, të cilin e kryeson Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, disa ditë më parë u tha se numri i pickimeve nga rriqrat sivjet është përgjysmuar, ndërsa prej 46 rasteve të trajtuara si të dyshimta, pas analizave laboratorike, të gjitha kanë rezultuar negative.

Temat
LajmeVend

Të afërta