Uellsi përgatitet të presë heronjtë e vet

Një marshim nëpër rrugët e Cardiffit me autobus 2-katësh të hapur e të ngjyrosur, përmes mijëra tifozëve, do të jetë pak nga ajo që do t’u rezervohet yjve të Uellsit. Një performancë e bendit “Manic Street Preachers” po ashtu është rezervuar në nderim të tyre.

Uellsi po përgatitet të presë heronjtë e vet, pas eliminimit të përfaqësueses së këtij vendi në gjysmëfinale të “Euro 2016” nga Portugalia (0:2). Ceremonia e pritjes është paraparë për të premten, raporton AP.

Pos paradës me autobus, Federata e Futbollit e Uellsit do të hapë edhe dyert e stadiumit nacional në Cardiffit, përcjell Koha Ditore. Aty do të bëhet prezantimi i futbollistëve, stafit të trajnerëve dhe do të ketë muzikë deri në orët e vona të së premtes.

“Ne ndiejmë se kjo ngjarje është mënyra më e mirë për të gjithë që të festojmë së bashku këtë periudhë historike të futbollit uellsian”, ka thënë shefi ekzekutiv i Federatës uellsiane, Jonathan Ford.

Për Uellsin ky thuhet të jetë vetëm fillimi i aventurës së tyre evropiane.

Temat
BotëSport

Të afërta