Lama: Pavarësisht si jam trajtuar, atje ku do të shkoj do t’i përfaqësoj të gjithë

Alma Lama refuzoi të përgjigjet në pyetjet e deputetes së VV’së, Puhie Demaku si anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, gjatë intervistimit të Lamës për Ambasadore të Kosovës në Romë.

Deputetja e LDK’së ka sqaruar gjatë intervistimit arsyet se pse ka vendosur t’i injorojë pyetjet e Demakut.

Gazeta Express merr vesh se Lama ka kërkuar nga Puhie Demaku që të paktën të distancohet nga gjuha fyese dhe seksiste që kolegu i saj Fisnik Ismaili ka përdorur në një reagim ndaj kandidates për ambasadore në Itali.

“Dinjiteti im personal dhe familjar është fyer shumë rendë nga një koleg deputet i zonjës Demaku, me një gjuhe seksiste dhe të papranueshme. Prandaj mora qëndrim se nuk përgjigjem në pyetje sa kohë që nuk ka distancim”, citojnë burimet e Gazetës Express, brenda komisionit paralamentar, të ketë deklaruar Lama gjatë kohës kur Demaku i ka parashtruar pyetje.

Tutje, mësohet se Lama ka dakruar se asi si diplomate nuk do të pranonte kompromise të tilla kur është në pyetje dinjiteti i saj dhe i grave tjera.

“E gjithë lufta për mbrojtjen e dinjitetit të grave nga gjuha seksiste është e vërteta ime”, citohet të ketë thënë Lama.

Deputetja Alma Lama edhe vetë përmes facebook’ut ka njoftuar se është intervistuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme për angazhimin e saj si ambasadore e Kosovës në Romë.

“Sot pata intervistën ne Komisionin për Pune te Jashtme ne lidhje postin e ambasadorit ne Itali. Duke shpresuar te marr vlerësimin pozitiv te komisionit, dua t’iu them se ky është një moment shume i veçantë ne karrierën time. Gjithmonë kam qene ne shërbim te shtetit te Kosovës, si deputete. Tani e tutje do ta vazhdoj rrugën e diplomacisë me përkushtimin tim te plote, për ta prezantuar ne mënyrën me te mire shtetin e Kosovës dhe interesat e qytetareve te saj ne shtetet pritëse”, shkruan ajo në facebook.

“Dua te falënderoj te gjithë përkrahësit e mi, ata qe kane investuar besim, qe me mundësuan te behëm deputete për dy mandate. Jam përpjekur te jem maksimalisht e përkushtuar, te ve interesat e shtetit mbi interesat personale dhe partiake”, ka vazhduar Lama.

“Sfidat i kam pasur te shumta, por me kane berë me te forte. Pavarësisht mënyrës se si jam trajtuar nga shumëkush, luftës speciale qe me është bere për te me shkatërruar reputacionin, si përfaqësuese e shtetit te Kosovës, do t’i prezantoj te gjithë ne mënyrën me te mire te mundshme atje ku do te shkoj. Natyrisht pa hequr dore nga ruajtja dhe mbrojtja e dinjitetit tim personal, dinjitetit familjar dhe dinjitetit te grave”, ka përfunduar Lama në facebook.

Propozimi për angazhimin e Lamës ka ngjallur reagime të menjëhershme, duke u cilësuar se deri te ky post ka ardhur pasi ajo e ka ‘shitur’ votën në seancën e zgjedhjes së presidentit Thaçi. /GazetaExpress/.

Temat
LajmeVend

Të afërta