A na paralajmëroi Profeti Muhamed për ISIS-in?

Në sulme të ndara javën e kaluar, terroristët e ISIS-it vranë 39 turistë në Tunizi, rreth 30 besimtarë shia në një xhami në Kuvajt.

Grupi militant Shteti Islamik (ISIS) është treguar përgjatë këtyre dy viteve, i pamëshirshëm ndaj kujtdo që kundërshton urdhrat e tyre.

Ata kanë masakruar të krishterët dhe komunitetin e krishterë yazidi, por nëse shikohen të gjitha sulmet e ISIS-it, shumica e të vrarëve janë vetë myslimanët, në fenë e të cilëve, islamin, thirren vetë terroristët, transmeton lajmi.net.

Aktivisti për të drejtat e njeriut, njëherësh shkrimtar dhe fizikant, Kashif N.Chaudhry, ka shkruar një artikull për HuffingtonPost, ku shpjegon se si Profeti Muhamed kishte paralajmëruar për ardhjen e një grupi terrorist, i cili do të thirrej në emër të Islamit.

“Nëse e lexoni dhe e studioni Kuranin, atëherë e kuptoni se grupe si ISIS-i janë në kundërshtim të plotë me Islamin. Në Kuran, për shembull, thuhet se nëse vret një njeri ke vrarë gjithë njerëzimin”, shpjegon Chaudhry.

Nëse studiohen traditat e Profetit Muhamed ato gjithashtu tregojnë se ai kishte paralajmëruar njerëzit se do të vije koha kur ekstremizmi fetar do të ngrihet.

“1400 vjet më parë ai profetizoi se do të vije koha kur nuk do të mbetet asnjë nga Islami, përveç emrit, asgjë nga Kurani por vetëm fjalë, dhe se xhamitë do të jenë të shkëlqyera por do të jenë të varfra në udhëzimin e njerëzve. Përmes këtyre fjalëve ai ka thënë se esenca shpirtërore e islamit do të humbet dhe feja, në shumë pjesë, do të reduktohet në një detyrim rituali. Ai kishte thënë po ashtu se klerikët do të jenë të korruptuar dhe do të jenë burim i grindjve në mes njerëzve. Ai gjithashtu ka përshkruar grupe terroriste siç është ISIS, të cilat sipas Profetit Muhamed do ta rrëmbejnë fenë. Ai kishte përdorur shprehjen se ‘një grup i të rinjve do të bëjnë gjëra të pamenduara. Ata do të flasin fjalë të bukura dhe do të bindin njerëzit të bëjnë gjëra të tmerrshme. Ata do t’i thërrasin njerëzit që t’i besojnë Kuranit por ajo që do të veprojnë në realitet do të jetë e kundërta e fjalëve të shkruara në librin e shenjtë. Ata nuk do ta kuptojnë esencën e Kuranit por do të selektojnë pjesë nga ajo’. Profeti Muhamed i kishte përshkruar këta njerëz si ‘krijimi më i keq’”, shkruan Chaudhry./lajmi.net

Temat
Përgjithshme

Të afërta