Schulz: Britania? Jashtë sa më parë

“Shpresoja dhe besoja në një fitore të krahut “Remain” në referendumin britanik dhe rezultati final më ka habitur dhe trishtuar njëkohësisht”.

Me këto fjalë presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz shpreh zhgënjimin por edhe irritimin e tij me klasën politike britanike.

“Mirë tha presidenti i Komisionit, Juncker: të mos habitemi nëse votuesit nuk marrin seriozisht atë që nga e hëna deri të shtunën kritikon ashpër BE-në dhe të dielën shprehet euro-entuziast”, ka thënë Schulz në një intervistë për “ANSA”.

Sipas tij, “përgjegjësia kryesore për atë që ndodhi është partia konservatore”.

“Partia që dikur ishte e Winston Churchill dhe e Benjamin Disraeli ka vendosur interesin e saj personal përpara atij të vendit. Cameron, Johnson dhe Gove krijuan mjetet për të konsumuar ambiciet e tyre personale”, ka thënë Schulz.

Ai ka theksuar se tashmë Bashkimi Evropian ka shumë çështje me të cilat duhet të përballet me urgjencë.

“Që nga lufta kundër terrorizmit e deri tek kriza e refugjatëve; nga reforma e qeverisjes ekonomike tek përforcimi ekonomik e monetar i Unionit; tek ringjallja e tregut të brendshëm për shembull në sektorin dixhital dhe atë të kapitaleve. Qytetarët kërkojnë garanci, jo negociata të cilave nuk u duket ende fillimi e jo më fundi”, ka vijuar Schulz.

Ndonëse shprehet kundër një linje të ashpër, presidenti i PE thekson se Britanisë i duhet dhënë një mesazh i qartë.

“Pasiguria që rëndon mbi ekonominë reale duhet të reduktohet sa më parë të jetë e mundur. Bashkimi Evropian duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të tij, ashtu sikurse do të bëjë Mbretëria e Bashkuar. Mbështetësit e “Leave” premtuan të gjitha përfitimet e të qenit brenda Unionit pa asnjë detyrim. Negociatat do të tregojnë se nuk mund të jetë kështu”, ka shtuar Schulz.

Temat
BotëLajme

Të afërta