Remi kërkon lirim me kusht nga burgu

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, i njohur me nofkën “Remi” ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lironë atë nga burgu. Ai pretendon se i plotëson të gjitha kushtet siç është vuajtja e dy të tretave të dënimit; se nuk do të kryej më vepër penale. Përkundrazi, sipas kërkesës, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor.
Rrustem Mustafa, po kërkon që mos ta vuaj pjesën e mbetur të dënimit me burgim prej katër vjetësh. Ai ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lirojë nga burgu i Smrekonicës ku po e kryen vitin e fundit të dënimin me burgim për krime.

Mustafa, i dënuar me katër vjet burgim tashmë ka vuajtur dy të tretat e shqiptuara. Ai ka shkuar në vuajtje të dënimit në fillim të këtij viti pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë. Bashkë me të janë dënuar edhe Latif Gashi me gjashtë vjet burgim dhe Nazif Mehmeti me tri vjet.

Në kërkesën e ushtruar nga avokati i tij, Aziz Rexha, thuhet se tashmë janë plotësuar kushtet që Mustafa të lirohet me kusht. Është thënë se ka vuajtur dy të tretat e dënimit, se qëllimi i dënimit është arritur.

Avokati garanton se Mustafa nuk do të kryej më asnjë krim, përfshirë krime lufte sepse sipas tij, lufta ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet më në Kosovë.

Ka garantuar po ashtu se Mustafa nuk do të kryej kurrfarë vepre penale. Bile sipas tij, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor dhe sundim të ligjit.

Pos kësaj, në kërkesë thuhet se gjendja shëndetësore e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, është rënduar prej se ka shkuar në burg. Avokati ka thënë se Remi kishte pësuar një aksident të rëndë komunikacioni pak kohë para se të niste vuajtjen e dënimit. Si pasojë ka thyer disa brinjë dhe ka pësuar lëndime tjera trupore.

Një argument tjetër për lirimin e Remit është përmendur edhe fakti se është familjar i ri dhe se familja e tij ka nevojë për të.

Më 8 janar 2016, Rrustem Mustafa kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të lëshonte urdhrin për dërgimin e tij në vuajtje të dënimit. Ai kishte përcaktuar se në cilin burg do të shkonte: në atë të Smrekonicës, që është burg i hapur.

Temat
LajmeVend

Të afërta