Mustafa pas marrëveshjes për kredi: Franca partner i rëndësishëm i Kosovës (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në nënshkrimin e marrëveshjes, me të cilën Shteti Francez do të akordojë një kredi prej 66 milionë eurosh për Kosovën, me kamatë tejet atraktive.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave të Francës, Michel Sapin.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës.

Një ditë më herët, kryeministri Mustafa mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, ku ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Në Samit u konfirmua përkrahja e shteteve evropiane dhe e Bashkimit Evropian për vendet e rajonit, perspektiva eurointegruese si dhe u theksua mbështetja e projekteve konkrete në zhvillimin e rajonit.

zkp-02_1467728105-7923497
Të pranishëm në punimet e samitit ishin edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Kryeministri Mustafa ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të shteteve dhe të mekanizmave të BE-së, ku ka kërkuar përkrahje për fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, për proceset tjera integruese si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gjatë Samitit, kryeministri Mustafa dhe kryeministrat e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë nënshkruan edhe marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, e cila do të ketë selinë në Tiranë.

Ndërkaq, në intervistat e dhëna për mediat franceze, kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se Franca po ofron përkrahje të madhe për Kosovën dhe se ajo mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës.

https://youtu.be/rmePkaa_zfA

Temat
LajmeVend

Të afërta