Lojtarët e Kombëtares po pushojnë, presin oferta (Video)

Mbyllja e Kampionatit Evropian menjëherë pas fazës së grupeve për Kombëtaren e Shqipërisë, ka qenë dhe hapja e sezonit të pushimeve për një pjesë të lojtarëve.

Sulmuesi kryesor i kuqezinjve në Francë, Armando Sadiku, ka qëndruar më së shumti në Tiranë dhe Elbasan, qytetin e tij të lindjes në periudhën post-evropian. Në rrjetin privat Instagram ai ka shfaqur ditët e pushimit me miqtë familjarët e tij nëpër diskotekat e kryeqytetit.

Deri sa njoftoi të gjithë me një foto nga Piazza D’Uomo, se ndodhej në Milano, në pamje të parë për pushime, por nëse do të ketë ndonjë lëvizje të rëndësishme merkatoje në këtë qytet për të, akoma më mirë.

Pushimet familjare në Antalia të Turqisë ka zgjedhur dhe mbrojtësi Andi Lila. I shkëputur prej më se një muaji nga familja, prej fazës përgatitore në Austri e më pas Evropiani, Lila më së fundi ka gjetur momentin për bashkëshorten dhe djalin e vogël Ajan.

Një udhëtim edhe më të largët ka marrë sulmuesi tjetër kuqezi, Sokol Cikalleshi. Kavajasi ka zgjedhur Maldivet, si ilaçi më i mirë për të harruar mosaktivizimin e Evropianit.

I vetmi që kërkoi më tepër, pas një milion eurove premio nga kryeministri dhe pasaportave diplomatike, ishte mesfushori Ergys Kaçe. Futbollisti i PAOK-ut në Greqi i kërkoi kryeministrit edhe një makinë dhe ndërsa nuk dihet nëse ja plotësoi apo jo dëshirën kryeministri, Kaçe shihet në rrjetin e tij Instagram tek poston një makinë të sapoblerë, Audi TT, aq shumë e ka postuar këtë makinë sa mezi dallohet që veç këtij gëzimi, ka shijuar edhe pushimet me familjen e tij dhe vajzën disamuajshe, në Alania të Turqisë.

Ndërkohë Mërgim Mavraj mbetet i rezervuar si gjithmonë për jetën e tij private. Me këtë foto të fundit në kryeministri gjiganti i mbrojtjes shqiptare shpall edhe kandidaturën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Në fund të fundit pse jo, ndoshta kontributi i tij është edhe më i madh se i ndonjë politikani, për imazhin e Shqipërisë.

Për të shijuar bregdetin shqiptar ka qenë i pranishëm prej disa ditësh në jugun e vendit edhe mesfushori i palodhur kuqezi, Amir Abrashi. Në rrjetet sociale ai është parë i shoqëruar me mikun e tij të ngushtë, dhe kundërshtarin e kuqezinjve në lojë, Xherdan Shaqirin. Dyshja shqiptare kanë shijuar së bashku me miqtë e tyre disa nga bukuritë e rivierës.

Lorik Cana, i cili në mbyllje të karrierës së tij me përfaqësuesen shihet i relaksuar duke bërë pazar e duke mbajtur ende gjallë markën e tij tashmë private, LC5 ndërkohë që zëvendësi i tij në përfaqësuese Ansi Agolli ka rifilluar menjëherë përgatitjet me skuadrën e tij për Kupat e Evropës. /TCH/

Temat
SportVend

Të afërta