Çollaku: Po rrezikohet seriozisht liberalizimi i vizave

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se vendimi për shtyrje të votimit për heqjen e vizave për Kosovën ka qenë i pritshëm për shkak të mosvotimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Ky është një lajm jo i mirë, pasi është pritur që së paku në dy komisione të votohet për liberalizimin e vizave edhe pse ka qenë e paraparë që kjo të votohet në shtator. Deklaratat e Tanjo Fajon duhet të merren si një alarm i fundit që marrëveshja kufitare me Malin e Zi duhet të kryhet patjetër nëse qytetarët Kosovës dëshirojnë të lëvizin pa viza. Ky është një kriter eksplicit i qartë”.

Ai ka deklaruar se shtyrja nuk reflektohet përgjatë gjithë procesit, por se është i domosdoshëm finalizimi i të gjitha kritereve që janë vënë nga Bashkimi Europian.

“Në aspektin kohor kjo nuk paraqet ndonjë shtyrje pasi vendimi përfundimtar për vizat është pritur të merret në shtator jo në korrik. Bashkimi Europian nuk diskuton me kriteret që i vë. Për të përshpejtuar vendimmarrjen në Bashkimin Europian në Komisionin Europian duhet që ta përmbushim kushtin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Për ta qartësuar këtë çështje Parlamenti i Kosovës të paktën duhet ta mbaj një seancë, të mos votohet menjëherë, të vijnë ekspertët të ballafaqohen faktet”.

Çollaku ka kërkuar nga politikanët e vendit që të mos e mbajnë peng lirinë e qarkullimit të qytetarëve, pasi nuk ka kompromis për cështjet të cilat kërkohen nga Unioni.

“Nuk kemi të drejtë ta mbajmë peng të ardhmen europiane të Kosovës dhe t’ua pamundësojmë lëvizjen e lirë qytetarëve. Nëse gjatë këtij muaji nuk bëhet ratifikimi i vijës kufitare nuk mund të presim nga zyrtarët e BE-së që të kenë mirëkuptim në këtë çështje, duke i ditur edhe komplikimet e fundit në BE. Nuk besoj që Komisioni Europian dhe vendet anëtarë do të bëjnë kompromis në këtë çështje”.

Temat
LajmeVend

Të afërta