Rrëfimi tronditës i trafikantit: Refugjatëve u shiten organet

Ndonjëherë emigrantët nuk kanë paratë e as nuk dinë kujt t’i drejtohen për të paguar udhëtimin drejt Evropës.

Këta persona që nuk mund të paguajnë u dorëzohen autoriteteve egjiptiane, të cilët i vrasin për t’u marrë organet e për t’i shitur për një shumë prej rreth 15 mijë dollarësh.

Ky është aspekti më mizor që del në pah nga rrëfimet e Nuredin Atta Wehabrebi, trafikanti i parë i penduar i qenieve njerëzore, i cili prej një viti bashkëpunon me drejtësinë italiane. Mbi bazën e deklaratave të tij, policia ka urdhëruar arrestimin e 38 personave të akuzuar për favorizim të emigracionit dhe krimeve të tjera.

Atta Wehabrebi ka ofruar gjithashtu detaje për organizatën në të cilën bënte pjesë dikur, e që sipas tij ka arkëtuar miliona euro nga biznesi i paligjshëm. Vetëm në verën e vitit 2015, grupi kriminal ka drejtuar zbarkimin e të paktën 6 anijeve, me të cilat mbërritën në Palermo mbi 4.000 emigrantë.

Sipas të penduarit, organizata operon si një rrjet i vërtetë kriminal me celula të shumta në territore të ndryshme, të cilave u caktohen detyra të posaçme për organizimin e udhëtimeve e favorizimin e hyrjeve klandestine të emigrantëve në Itali. Në një moment të dytë, organizohet largimi i tyre nga territori italian drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Temat
BotëLajme

Të afërta