Vrasësi që u qëllua në skenën e krimit në Ayia Napa në Qipro muajin që kaloi u vra nga njeri prej atentatorëve të tjerë. Kështu ka rezultuar pas kryerjes së provave balistike mbi armët, njoftojnë mediat greke, transmeton Syri.net.
Sipas raporteve të Phileleftheros, testet balistike kanë treguar vetëm dy armë të përdorura në vrasjen e biznesmenit Phanos Kalopsidiotis, çiftit të martuar dhe të shqiptarit 41-vjeçar Jani Vogli.
Një armë ishte pistoleta e policit që e përdori në kundërsulm dhe tjetra, një kallashnikov që u gjet në makinën e vjedhur nga vrasësit për ekzekutimet. Kjo tregon se Vogli u vra nga njeri prej vrasësve të tjerë të dyshuar; sipas policisë, prej shqiptarit tjetër, Aleks Burrelit.
Raportet deri më tani kishin njoftuar se Vogli ishte qëlluar prej një polici të ndërhyrjes së shpejtë MMAD që ishte në grupin e biznesmenit atë natë, por nga të dhënat e fundit këto pretendime u hodhën poshtë.
Katër persona janë aktualisht në paraburgim si të dyshuar se ndihmuan vrasësit. Ata janë tre qipriotë dhe një 42-vjeçar me origjinë serbe, Loy Dejan, që kishte punuar si truprojë për biznesmenin por ishte implikuar duke u dhënë informacion vrasësve.