Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Sherri i stallës, vëllai vrau vëllanë në Kaçanik

Mosmarrëveshjet e dy vëllezërve, Hysmet dhe Bektesh Leskovica, nga Korbliqi i Kaçanikut, çuan në një përleshje fizike mes dy vëllezërve, ku u përfshinë edhe tre djemtë e Bekteshit. Përveç grushteve, 9 ditë më parë, gjatë përleshjes, Bektesh Leskovica dhe tre djemtë e tij, Hysmetin e qëlluan disa herë edhe me hunj.

Dyshohet se nga goditjet e marra, një javë pas, gjeti vdekjen 55 vjeçari Hysmet Leskovica në QKUK. Të dyshuarit janë në arrest shtëpiak.

Një stallë e bagëtive është bërë shkas i një konfrontimi fizik mes dy vëllezërve Hysmet e Bektesh Leskovica, që për pasojë pati vdekjen e të parit, një javë pas, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

Në përleshjen që ndodhi mbrëmjen e 23 qershorit në Korbliq të Kaçanikut, pranë shtëpisë së viktimës, vëllai i tij, Bekteshi u ndihmua edhe nga tre djemtë e tij, F.L, D.L. dhe B.L.. As këta të fundit nuk kursyen grushtet për xhaxhain e tyre, madje as hunjtë.

Viktima Hysmet Leskovica, si pasojë e plagëve të marra, ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku një javë pas përleshjes ndërroi jetë.

“Lidhur me rastin raportohet se më datë 29.06.2016 si pasojë e lëndimeve të marra, në QKUK-Prishtinë ka ndërruar jetë viktima mashkull K-Shqiptar. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, ka njoftuar Policia të enjten në raport.

Bëhet e ditur se Bektesh Leskovica dhe tre djemtë e tij ishin arrestuar dhe intervistuar nga Policia menjëherë pas përleshjes së 23 qershorit, për të pasur ndaj tyre masa e arrestit shtëpiak me vendim të gjykatës.

“Hetuesit policor kanë arrestuar të dyshimtit B.L.,F.L.,D.L. dhe B.L. ku pas intervistimit, në konsultim me Prokurorinë Shtetit, është marrë masa e ndalimit policor prej 48 orëve dhe pas skadimit të kësaj mase është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për të gjithë të dyshuarit”, ka njoftuar Zyra për Informimin e Policisë në Ferizaj.

Gazeta Express ka qëndruar të enjten në Korbliq, një fshat malor me rrugë vështirë të kalueshme, mes Kaçanikut dhe Vitisë, për të biseduar me familjen e viktimës, porse askush nga ta nuk deshi të bisedonte me gazetën.

Arsyetonin se po merreshin me njerëzit që vinin për të parë, e me ceremoninë e varrimit të viktimës, që u bë rreth orës 17.

Me askënd, Gazeta Express, nuk arriti të bisedonte as në shtëpinë e Hysmet Leskovicës, i cili bashkë me djemtë prej vitesh jeton në fshatin Kabash të Vitisë.

Për çudi, të enjten në mesditë, kur gazeta qëndroi atje, askush nuk ishte në shtëpi, edhe polica pohon se 4 personat e dyshuar ndodhen në arrest shtëpiak.

Rasti i cilësuar si rrahje me lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit dhe njësitet rajonale të hetuesisë.

Exit mobile version