Kadaj-Bujupi: VV nuk do të marrë përgjegjësi për atë që do të ndodhë nëse ratifikohet demarkacioni (Video)

Mali i Zi ka bërë agresion duke hyrë brenda territorit të Kosovës dhe duke larguar flamurin kombëtar shqiptar ende pa u ratifikuar Marrëveshja për Demarkacionin, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi.

“Ende pa u ratifikuar Marrëveshja për Demarkacionin, policia e Malit te Zi ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka hequr flamurin, të cilin e kemi vendosur ne. Kjo ndërhyrje është agresion, sepse nuk ka as bazë juridike”, ka thane Kadaj-Bujupi në televizionin Rrokum.

Ajo ka shtuar se Kosova është dashur t’i dërgojë notë proteste Malit të Zi, dhe jo e kundërta.

“Kosova është dashur të bëjë notë proteste për veprimet e Malit të Zi, por Qeveria heshtë, sikurse heshtë edhe në raport me Serbinë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ish-anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar një dokument, për të cilin ka thënë se i ka rënë në dorë nga një ish zyrtar, ku konfirmohet se ka pasur projekte për ndërtimin e një hidrocentrali pikërisht në vendin ku synohet të bëhet kufiri.

Ajo ka komentuar edhe për deklaratat nga përfaqësues të Qeverisë, që kanë krahasuar Adem Jasharin me Car Llazarin.

“Është turp të bëhet një krahasim i tillë. Po më vjen turp edhe mua sot ta përsëris këtë”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

Ajo ka folur edhe për ish-ministrin serb të Qeverisë Mustafa, Aleksandar Jabllanoviq, duke e cilësuar si partner të Isa Mustafës dhe Kadri Veselit, i cili, sipas saj, “është tallur me gjakun dhe nderin e dëshmorëve, me veprimin e bërë në Koshare”.

Kadaj-Bujupi ka paralajmëruar se nëse Marrëveshja për Demarkacion vjen në Kuvend për ratifikim, presidenti Hashim Thaçi dhe Qeveria do të mbajnë përgjegjësi për atë se çfarë do të ndodhë brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Ne nuk japim përgjegjësi, nëse këta luajnë lojëra, duke i shantazhuar deputetët, siç kanë bërë në të kaluarën”, është shprehur Kadaj-Bujupi. /Express/

Temat
LajmeVend

Të afërta