Lajme

Hoxhaj në SHBA për lobim, takon në OKB përfaqësuesit e vendeve jo-njohëse

By FIRST CHANNEL

June 30, 2016

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisë fushatën e lobimit për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.

Ai po qëndron në New York, ku do të takojë dhjetëra përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën të akredituar në Kombet e Bashkuara.

Në ditën e parë, Hoxhaj ka takuar përfaqësuesit e Namibisë, Linda Scott, të Botswanës, ambasadorin Charles Thembani dhe St. Vincent dhe Grenadës, Rhoda King, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe progresin sa i përket njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Jam në New York për t’i njoftuar edhe njëherë përfaqësuesit e këtyre vendeve për rëndësinë që ka njohja e Kosovës. Misionet diplomatike të këtyre shteteve në OKB janë me shumë peshë dhe ndikim, prandaj lobimi këtu është vetëm njëra anë e aktivitetit tonë para se t’i marrim njohjet e reja së shpejti” ka thënë Hoxhaj pas takimeve.

Përpos takimeve me përfaqësuesit e vendeve mos-njohëse, Hoxhaj ka takuar edhe ambasadorët e Britanisë të Madhe dhe Gjermanisë pranë OKB-së, të cilët i ka njoftuar me të arriturat e Kosovës.

Diskutimi është fokusuar edhe në reduktimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, rolin e ri të OKB-së që duhet ta ketë në Kosovë dhe zhvillimet e tjera në rajon dhe më gjerë.

Gjatë ditëve të ardhshme, Hoxhaj do të takoj edhe përfaqësuesit e shumë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe të atyre njohëse.