Lajme

Sulmet terroriste në Turqi, shtohen masat e sigurisë me qen anti-eksploziv në Rinas

By FIRST CHANNEL

June 29, 2016

Menjëherë pas sulmeve terroriste që ndodhën në aeroportin e “Ataturk” të Stambollit, autoritetet shqiptare kanë shtuar masat e sigurisë në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që sot është anuluar edhe udhëtimi i parë që ishte planifikuar për në Turqi.

Ermal Milori, shefi i komisariatit të Rinasit ka deklaruar se policia është me shërbim të përforcuar.

“Me marrjen e njoftimit për sulmet e djeshme në Stamboll, policia e Rinasit ka vënë në gatishmëri një shërbim të përforcuar, për të parandaluar çdo ngjarje të mundshme kriminale. Aktualisht masat në lidhje me këto ngjarje janë të dukshme dhe të padukshme njëkohësisht. Masat e dukshme janë patrullimet më të shpeshta në terminalin e pasagjerëve, me qen anti-eksploziv dhe me armë të gjata. Masat e padukshme janë ato masa që kryhen gjatë kontrolleve të pasagjerëve edhe bagazheve të tyre, në bashkëpunim dhe me autoritetin e sigurisë së aeroportit për skanerimin sa më të mirë të bagazheve dhe të pasagjerëve”, ka thënë Milori për Tv Klan.

Sipas tij këto masa do vazhdojnë deri në një urdhër të dytë, duke parë dhe situatën duke vlerësuar dhe informacionet që vijnë nga shërbimet e tjera ligjzbatuese.

Milori ka thënë se fluturimet në drejtim të Stambollit dhe e kundërta, janë ndërprerë, deri në një urdhër të dytë kur autoritetet turke do vendosin që nuk ka më rrezik.