Një shqiptar u ekzekutua këtë mëngjes në Itali. Mediat kanë bërë të ditur emrin e tij. Ai është Artion Shaskaj, i cili u qëllua për vdekje me tre plumba.
Ngjarja ndodhi në komunën Velletrit në Romë, Itali. Sipas dëshmitarëve, kanë qenë dy persona me motor që ekzekutuan shqiptarin në sy të gruas dhe fëmijëve.
Artion Shaskaj njihej edhe me emrin “Tony” dhe kishte në pronësi një piceri të njohur.
Ai u vra pikërisht jashtë picerisë së tij, ndërsa banorët e zonës thonë se ai njihej si një njeri i qetë dhe paqësor.
Policia italiane thotë se vrasësi e thirri në emër shqiptarin para se ta qëllonte për vdekje. Hetuesit thonë se ekzekutimi është i një stili mafioz, ndërsa po hetohen shkaqet e ngjarjes.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së picerisë së 33-vjeçarit shqiptar dhe bizneseve të tjera në zonën përreth.