Britania përpiqet të zbusë pasojat e BREXIT

Ministri i Financave i Britanisë së Madhe ka bërë përpjekje që të qetësojë tregun, pas vendimit që tronditi të gjithë për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian, derisa zyrtarët më të lartë amerikanë dhe evropianë po bëjnë përpjekje që të merren me pasojat e BREXIT-it.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pritet të arrijë të hënën në Londër, pasi ta vizitojë Brukselin, derisa liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të takohen në Berlin për të njëjtën temë. Franca dhe Gjermania kanë thënë se ato janë “unike” në trajtimin e pasojave të referendumit të 23 qershorit në Britani.

Në Londër, shefi i Thesarit, George Osborne, ka thënë të hënën se ekonomia e Britanisë është “po aq e fuqishme sa mund të jetë”, që të përballet me pasojat e BREXIT-it, derisa është zotuar që të zbatojë një plan “të fuqishëm” për Bankën e Anglisë.

Rezultati befasues i BREXIT-it i ka kushtuar vlerës së tregut rreth 2.1 miliardë dollarë më 24 qershor, ndërsa sterlina britanike ka pësuar rënien më të madhe kundrejt dollarit prej 31 vjetësh.

Osborne ka thënë se ai është në kontakt të vazhdueshëm me Guvernatorin e Bankës së Anglisë, Mark Carney, prej publikimit të rezultateve të referendumit më 24 qershor, dhe ka shtuar se ka plane të menduara mirë për krizën nëse do të jetë e nevojshme.

Sterlina britanike ka rikthyer të hënën disa prej humbjeve të mëdha pas deklaratës së Osborne.

Një (1) sterlinë, së fundi, është tregtuar me 1.35 dollarë, pasi në tregun aziatik kishte rënë në 1.34 dollarë. Niveli më i ulët i tregtimit të sterlinës ishte me 24 qershor, kur monedha britanike është ndërruar me 1.32 dollarë, që është edhe niveli më i ulët prej 31 vjetësh.

Ndërkaq në Bruksel, sekretari amerikan Kerry ka mbajtur takime me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, para se të niset për në Londër.

Një zyrtar i lartë amerikan është cituar të ketë thënë se Kerry gjatë vizitave nëpër Evropë do e nënvizojë rëndësinë që asnjë shtet tjetër të mos vendos sikur Britania të dal nga BE dhe kështu ta dobësojë më tutje BE-në.

Sekretari i Shtetit më pas do të udhëtojë drejtë Londrës, ku pritet të takohet me Sekretarin e Jashtëm britanik, Philip Hammond, që është edhe takimi i parë i nivelit të lartë prej referendumit të 23 qershorit.

Më 26 qershor, Kerry nga Roma ka kërkuar nga Britania dhe BE-ja që të punojnë së bashku për të qetësuar tregun, pas dëmeve të shkaktuara nga votimi në Mbretëri të Bashkuar, duke tronditur investitorët nëpër botë.

Kryediplomati amerikan gjithashtu ka konfirmuar “marrëdhënien e veçantë” që Amerika e ka me Britaninë, ndërsa ka diskutuar edhe “se sa e rëndësishme është marrëdhënia me Evropën, me BE-në, për SHBA-të”.

“Gjëja më e rëndësishme është se të gjithë ne, si liderë, të punojmë së bashku për të ofruar sa më shumë vazhdimësi dhe stabilitet, dhe sa më shumë siguri që është e mundshme”, ka thënë Kerry.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të diskutojë të hënën këtë çështje me presidentin francez, Francois Hollande, me kryeministrin italian, Matteo Renzi dhe presidentin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Merkel dhe Hollande kanë thënë të dielën se ata kanë “pajtim të plotë” rreth asaj se si të përballen me vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.

Hollande ka paralajmëruar se “të shkëputur, rrezikojmë të ndahemi, të përçahemi dhe të grindemi.”

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se ai do të jap dorëheqje në vjeshtë, duke ia lënë kështu negociatat e daljes nga BE-ja, pasardhësit të tij.

Por, liderët evropianë e kanë shtuar presionin mbi Britaninë që të fillojë largimin e saj nga blloku i shteteve evropiane menjëherë.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka thënë të dielën se të qëndruarit në rrugë qorre do të “çonte drejt pasigurisë më të madhe dhe kështu do të rrezikoheshin vendet e punës”. Ai ka shtuar se samiti i liderëve të BE-së që mbahet gjatë kësaj jave është “koha e duhur” për të filluar procesin e largimit të Britanisë.

Kriza politike e ka goditur Britaninë derisa liderët po përballen me pyetjen se si saktë duhet vendit të fillojë ndarjen me bllokun e 27 shteteve evropiane.

Cameron pritet që të mbaj të hënën takimin e parë të qeverisë, prej mbajtjes së referendumit.

Ish kryetari i Londrës, Boris Johnson, i cili e ka udhëhequr fushatën që Britania të largohet nga BE-ja, pritet të zëvendësojë Cameron në krye të qeverisë, ka thënë se Britania do të vazhdojë ta “intensifikojë” bashkëpunimin me BE-në.

Ai gjithashtu ka thënë se “nuk ka nxitim të madh” për Britaninë që ta largojë veten nga BE-ja.

Lideri i opozitës britanike, Jeremy Corbyn, gjithashtu po përballet me presion të largimit nga pozita e të parit të partisë, pasi një pjesë e ekipit të tij të qeverisë nën hije të dielën dhanë dorëheqje, duke e thënë hapur se nuk janë të kënaqur me lidershipin e tij pro BE-së gjatë fushatës për BREXIT.

Zyrtarja më e lartë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka thënë të dielën se ajo do të bëjë çdo gjë të mundshme që ta mbajë Skocinë brenda BE-së.

Stugeon ka thënë se ajo do e “shqyrtojë” mundësinë që ta këshillojë parlamentin skocez që të provojë të përdorë fuqinë që e ka për ta penguar daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ajo ka thënë se deputetët skocezë ndoshta e kanë mundësinë që ta pengojnë BREXIT-in, duke e përdorur domosdoshmërinë e “pëlqimit legjislativ” që duhet për daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ndërkaq, një aleat i kancelares gjermane ndërkohë ka thënë se një Skoci e pavarur do të ishte e mirëpritur brenda BE-së.

“BE-ja sërish do të përbëhej nga 28 shtete anëtare, pasi pres që një referendum për pavarësi në Skoci do të ishte i suksesshëm”, ka thënë Gunther Krichbaum, për gazetën gjermane, “Welt Am Sonntag”. (REL)

Temat
BotëLajme

Të afërta