“Shkupi 2014”, shqiptarët nuk ndjehen pjesë e projektit

Vendosja e përmendoreve të Nexhat Agollit, Josif Bagerit dhe Pjetër Bogdanit në kuadër të projektit Shkupi 2014 assesi nuk i jap karakter multietnik këtij projekti. Qytetarët e anketuar nga ALSAT M thonë se nuk e ndjejnë si të tyrin këtë projekt pasi janë shumë pak tre përmendore shqiptare në krahasim me 100 tjera.

A mendoni se me vendosjen e Nexhat Agollit, këtyre tre përmendoreve shqiptare projekti “Shkupi 2014” është bërë multi-etnik?

“Nexhat Agolli ka qenë hero i popullit, ai ka kryer drejtësinë në Romë dhe e kanë vrarë këtu në Shkup. Nuk bëhet vetëm me tre përmendore shqiptare në Shkup, duhet të ketë ende më tepër, por kush t’i vendos ata”, tha një qytetar.

“Jo asgjë nuk ndryshon me vendosjen e vetëm tre përmendoreve shqiptare”, u shpreh një tjetri.

“Të gjithë duhet të kenë të drejta të barabarta, të mos nënvlerësohen maqedonasit por e njëjta duhet të vlejë edhe për shqiptarët, turqit dhe të tjerët”, u shpreh një qytetar tjetër.

Këto tre përmendoret shqiptare që i kanë vendosur, a kanë ndërruar fotografinë për projektin “Shkupi 2014”?

“Shumë pak, pak është dashur të vendosen më tepër përmendore shqiptare, të paktën 20! Maqedonasit i kanë vendosur mbi 100 përmendore, shqiptarët të paktën është dashur 20 përmendore të vendosin”, deklaroi një qytetar.

Qytetarët madje kritikojnë mënyrën e vendosjes së këtyre përmendoreve, në orët e vona të natës.

Ndërkohë autoritetet ende nuk kanë përmirësuar gabimet me datën e lindjes dhe vdekjes së veprimtarit të shquar shqiptar Pjetër Bogdani.

Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se “Shkupi 2014” do të kushtojë 80 milionë euro, i njëjti deri tani ka kushtuar mbi 500 milionë euro./Alsat-M/

Temat
LajmeRajon

Të afërta