Dalja e Britanisë nga BE-ja, Thaçi paralajmëron lajme jo të mira për Kosovën (Video)

Tani më edhe zyrtarisht është mësuar se publiku britanik ka votuar pro daljes së Britanisë së Madhe nga familja e madhe e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ky vendimi nuk do t’i shkoj aspak për shtati vendeve të Ballkanit, duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës, transmeton Indekosnline.

Thaçi, gjatë një interviste dhënë mbrëmë në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës, ka thënë se ai nuk e ka dëshiruar asnjëherë largimin e Britanisë nga BE-ja.

“E para, nuk besoj që britanikët do të votojnë për të dal nga Bashkimi Evropian sepse kam përcjellë nga afër gjithë atë fushatë dhe gjithë ato zhvillime dhe ato debate dhe komente shumë interesante. Në të njëjtë kohë, vetë fushata atje duhet të jetë një mesazh edhe për Brukselin se diçka duhet të ndryshoj, pra besoj se Britania do të qëndroj në kuadër të BE-së. Kjo do ta fuqizojë edhe më tepër Bashkimin Evropian dhe rolin e Britanisë në Bruksel. Kështu që nuk dëshiroj të mendoj për largim”, është shprehur i pari i Presidencës.

Ndërkohë, Thaçi ka folur edhe për veprimet e mundshme pas largimit të njërit prej shteteve më të fuqishme në botë. Ai ka përmendur edhe pasojat që mund t’i kenë shtetet e Ballkanit sa i përket anëtarësimit në familjen evropiane, transmeton Indeksonline.

“Por nëse eventualisht ndodhë atëherë mund të kemi një përmbyllje të këtij Bashkimit Evropian aktual që kemi dhe me fillimin e një procesi të ri të familjes evropiane. Me një disavantazh historik me pasoja të rënda për Ballkanin dhe moszgjerim të familjes evropiane”, ka thënë ai, duke shtuar se largimi i Britanisë do të sjellë pasoja zinxhirore në familjen evropiane.

“Pra, do të kemi referendume të njëpasnjëshme prej shumë vendeve të tjera që do të dëshironin të dal nga familja evropiane, pra më askush nuk do të mendoj për zgjerim me vendet e tjera të Ballkanit. Pra do të ketë probleme të paparashikueshme, sociale …”, ka deklaruar Thaçi.

Temat
LajmeVend

Të afërta