Avokati i Popullit dhe OJQ-të, kërkojnë hetime për vdekjen e dy fëmijëve

Avokati i Popullit dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, i shprehin ngushëllime familjes Mramori për humbjen e jetës së dy fëmijëve si pasojë e gropës së hapur në afërsi të shtëpive në lagjen Kolovica në Prishtinë.

Me anë të një komunikate për media, Avokati i Popullit dhe KOMF kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që në kuadër të përgjegjësive të tyre, familjes Mramori t’i ofrojnë ndihmë dhe të gjitha shërbimet e nevojshme.

“Rastet e fundit të humbjes së jetës të fëmijëve në Kosovë nga fatkeqësitë e ndodhura kryesisht të shkaktuara nga faktori njeri, dëshmojnë për mungesën e një qasje institucionale për mbrojtje të jetës që përbën të drejtën themelore”.

“Lidhur me këtë, Avokati i Popullit dhe KOMF përpos që kërkojnë hetime efektive, ndëshkim sipas legjislacionit në fuqi dhe kompenzim adekuat, kanë filluar hulumtimin e humbjes së jetës të fëmijëve në Kosovë, me qëllim që të konstatohen arsyet dhe faktorët që shkaktojnë atë, në mënyrë që të ketë qasje parandaluese për raste të tilla”, thuhet në komunikatë.

Një hulumtim i tillë do të ndihmonte autoritetet publike të kenë një pasqyrë reale të gjendjes si dhe të hartojnë dhe zbatojnë politika për mbrojtje të jetës së fëmijëve.

Kjo ngjarje dhe ato të ditëve të kaluara alarmojnë në nivel vendi, për rrezikimin e jetës së fëmijëve, prandaj ritheksojmë nevojën që të gjitha komunat e Kosovës, institucionet në nivel qendror, kompanitë dhe individët të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të ofruar ambient të sigurt për qytetarët e saj, veçanërisht për fëmijët.

Temat
LajmeVend

Të afërta